Marrëveshja e emigrantëve Shqipëri-Itali ka marrë vlerësimet maksimale edhe nga krerët e shteteve të BE-së kryesisht.

Kështu ka deklaruar kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila madje ka thënë se liderët evropiane i kanë shprehur edhe solidaritetin. Ajo ka deklaruar se këto komente janë bërë në Budapest, ku u mbajt Samiti i Komitetit Politik Europian, e sipas saj u diskutua edhe për kampet e ngritura në Shqipëri.

Meloni e konfirmoi vetë me një reagim se “ky pakt vijon të ketë një interesim të jashtëzakonshëm dhe një vëmendje pozitive nga ana e liderëve evropiane”.

“Protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë ishte në qendër të diskutimeve në mbledhjen e komunitetit politik evropian këtu në Budapest. Vijon që të ketë një interes të jashtëzakonshëm, një vëmendje që unë e konsideroj absolutisht pozitive. Pati po ashtu një kuriozitet për sa u përket shteteve të sigurta”, u shpreh ajo.

Më tej ngriti shqetësimin se ajo që ndodh në Itali me emigracionin e paligjshëm ndodh edhe në shtete të tjera, teksa shprehu habinë sesi një shtet nuk mund të vendosë vetë për vendet e sigurta ose jo.

“Ajo që ndodh në Itali me emigracionin e paligjshëm prek edhe shtetet e tjera. Kishte shqetësim për faktin sesi mundet që qeveritë nuk lejohen që të vendosin vetë se kush konsiderohet një shtet i sigurt, duke e rrezikuar realisht këtë koncept. Kjo kompromenton çdo përpjekje për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Për këtë pata solidaritetin e tyre”, shpjegoi Meloni për mediat.

Sipas kryeministres italiane, dërgimi i azilkërkuesve afrikanë drejt Shqipërisë do të vijojë më tej, ndërkohë që edhe në Bruksel “kanë shprehur habi” sipas saj, për “qëndrimin e gjyqësorit për të kundërshtuar listën e shteteve të sigurta”.