Aktori Gent Bejko mori fjalën gjatë protestës qytetare në Korçë, ku foli për nevojën e ndryshimit politik dhe rolin që, sipas tij, duhet të kenë qytetarët në krijimin e një brezi të ri drejtuesish.

Përpara protestuesve të mbledhur në zonën këmbësore të qytetit, Bejko u shpreh se liderët e ardhshëm nuk do të jenë produkt i klasës politike që ka dominuar vendin prej dekadash, por do të dalin nga vetë qytetarët.

Ai kujtoi largimin e tij nga Shqipëria vite më parë, duke e lidhur atë me refuzimin për t’u bërë pjesë e asaj që e konsideron një sistem të gabuar.

Gjatë fjalës së tij, aktori kritikoi figurat politike të tranzicionit dhe argumentoi se vendi ka nevojë për një brez të ri udhëheqësish që nuk lidhen me trashëgiminë politike të viteve ’90.

Bejko foli gjithashtu për identitetin europian të shqiptarëve, duke e cilësuar atë si pjesë të natyrshme të shoqërisë shqiptare dhe jo si një objektiv që duhet fituar nga politika.