Një batutë me nota ironike e kryeministrit Edi Rama, në margjinat e takimit të Komunitetit Politik Europian të zhvilluar në Kopenhagen, ka tërhequr vëmendjen e mediave prestigjioze ndërkombëtare si The TelegraphNewsweek dhe MSNBC.

Gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Rama ironizoi një deklaratë të përsëritur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili në disa dalje publike ka pretenduar se kishte ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, një konflikt që nuk ka ekzistuar kurrë.

“Duhet të na përgëzosh mua dhe Aliyevin. Trump i ka dhënë fund konfliktit midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”, i tha Rama Macronit, duke shkaktuar të qeshura dhe buzëqeshje mes liderëve të pranishëm.

The Telegraph/ E përditshmja britanike The Telegraph raportoi se liderët e Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, në prani të Macron, u panë duke ironizuar ngatërrimin e përsëritur të Trump, i cili ka deklaruar se ka ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis dy vendeve, duke ngatërruar Shqipërinë me Armeninë. Media britanike theksoi se ky ngatërrim është kthyer në burim zbavitjeje mes udhëheqësve botërorë.

Newsweek/ Edhe Newsweek publikoi videon e momentit, duke theksuar se liderët evropianë bënë shaka për lapsusin e Trump, i cili në mënyrë të përsëritur ka ngatërruar vendet dhe konfliktet.

Sipas Newsweek, Rama me shaka e qorton Macronin pse nuk i ka përgëzuar për paqen, ndërsa shton me ironi se “vendet punuan shumë fort për marrëveshjen”. Revista amerikane kujton se Trump kishte ndërmjetësuar një marrëveshje reale paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në gushtin e kaluar, por më pas ka përmendur publikisht edhe një “marrëveshje” mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit – një gabim që i ka kushtuar kritika e tallje.

MSNBC/ Në një qasje më kritike, MSNBC shkruan se Trump ka tendencën të ekzagjerojë arritjet e tij në politikën e jashtme, duke marrë merita edhe për konflikte që nuk kanë ekzistuar kurrë.

Media amerikane përmend se Trump ka ngatërruar disa herë Shqipërinë me Armeninë dhe ka folur për një “konflikt imagjinar” mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Sipas MSNBC, batuta e Ramës në Kopenhagen ishte një reagim diplomatik dhe satirik ndaj këtij ngatërrimi, që nuk i ka shpëtuar vëmendjes së liderëve europianë.

“Realiteti është se Trump ka treguar luftëra që nuk kanë ndodhur kurrë… duke përfshirë edhe një luftë mes Kamboxhias dhe Armenisë,” shkruan MSNBC, ndërsa nënvizon se konfuzioni i Trump është kthyer në objekt humori në skenën ndërkombëtare.