Ish-deputeti i PD Ervin Salianji është duke zhvilluar foltoren e radhës ditën e sotme në qytetin e Lezhës. Nga takim shihet se ka marrë pjesë një numër i madh demokratësh, të cilët kanë mbushur plot Pallatin e Kulturës së Lezhës.

Gjatë fjalës së tij, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar nga Lezha se PD duhet të bëhet forcë fituese duke bashkuar të gjithë opozitarët që, sipas tij, prej 13 vitesh “derdhen në opozitë”. Salianji theksoi se vetëm përmes bashkimit të plotë të opozitës mund të realizohet rotacioni politik në vend.

“Duhet ta bëjmë PD fituese, të bashkojmë të gjithë demokartët që dergjen prej 13 vitesh në opozitë, të bashkojmë popullin opozitar dhe të bëjmë të mundur rotacionin. Ne i kemi qëndruar përballë qeverisë më banale dhe më të korruptuar në historinë e Shqipërisë. Kam marrë shumë mesazhe nga demokratë nga i gjithë vendi. Por ajo që po ndodh në Lezhë është se salla është e mbushr plotë. Demokratët duan ndryshim, Shqipëria do ndryshim. Demokratët e Lezhës i kanë provuar të gjitha, gabimet e lidershipit të PD dhe braktisjen nga lidershipi, por se kanë humbur shpresën dhe nuk e kanë ulur kokën asnjëherë. Jeni ju demokratët që keni mbajtur gjallë shpresën si demokratët në të gjithë vendin.“- tha Salianji.

Demokratët nuk i janë bindur thirrjes së PD-së për ta bojkotuar takimin e Salianjit, ndërkohë që i janë bashkëngjitur aktivitetit të tij. Një ditë më parë, PD e Sali Berishës u dërgoi demokratëve të Lezhë një mesazh ku u kërkohej të mos bëhen pjesë e takimit. Në mesazh demokratëve u thuhet se takimi i Salianjit ka tërësisht axhendë private dhe se po organizohet me ndihmën e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu.