Detaje të reja janë zbuluar lidhur me shoqërimin nga policia e Tiranës mbrëmjen e së shtunës të Indrit Dokles, Gentjan Reçit dhe ndalimin e Fatjon Muratit.

Mësohet se të tre personat janë ndaluar gjatë një kontrolli blic të policisë, teksa ishin duke lëvizur me një automjet të blinduar. Makina u ndalua pasi policia kishte informacion, se aty ishte i shpalluri në kërkim, Fatjon Murati, i akuzuar për armëmbajtje pa leje, pasi dyshohej se ishte bashkëpunëtor i Kristian Gjinit, i cili u arrestua në korrik të këtij pasi u zbulua një arsenal armësh në Tiranë.

Por Fatjon Murati ishte shpallur në kërkim policor për t’u marrë në pyetje edhe për masakrën e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Policia e Tiranës ka marrë në pyetje Muratin për masakrën e Fushë-Krujës dhe i pranishëm gjatë marrjes në pyetje ka qenë edhe një prokuror i SPAK. Sa i përket shoqërimit të Dokles dhe Gentjan Reçit, policia thotë se shoqërimi i tyre ishte thjesht procedurë pasi gjendeshin me personin tjetër që ishte në kërkim.

Endrit Doklen dhe Gentjan Reçin nuk janë marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, por kanë kryer vetëm procedurën e shoqërimit siç ndodh në të gjitha rastet kur shoqërohen personat që janë me një person të shpallur në kërkim.

Ndërkohë më parë Dokle është marrë në pyetje nga policia e Lezhës dhe prokuroria e Kurbinit lidhur me zhdukjen e Ervis Martinaj, ku Dokle ka deklaruar se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm në media dhe se nuk e di as çfarë ka punuar dhe as me çfarë merrej Ervis Martinaj.

Në pyetje më parë për Martinaj janë marrë edhe Gentjan Reçi dhe tre persona nga Nikla dhe Fushë-Kruja, por pritet të merren në pyetje edhe shumë personazhe të botës së krimit.