Risia e vitit të ri shkollor është leja e përdorimit të inteligjencës artificiale nga mësuesit dhe nxënësit në gjithë sistemin parauniversitar.
Ministria e Arsimit ka hartuar një udhëzues për IA në shkolla me mjete si CHATGPT, GEMINI, FULL FACT, etj që duhet të mbështesë dhe jo të zëvendësojë aftësitë njerëzore.
Në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga Top Channel, mësuesve ju jepet e drejta të hartojnë përmes inteligjencës artificiale materiale për mësimdhënien në klasë si krijimi i ushtrimeve, pyetjeve, provimeve apo edhe për vlerësimin e nxënësve në fusha të ndryshme të të nxënit, duke përfshirë lëndën e gjuhës shqipe dhe gjuhëve të huaja, matematikën deri te artet dhe edukimi fizik.
IA mund të përdoret edhe për përkthimin e teksteve apo edhe për të korrigjuar gabimet gjuhësore. Udhëzuesi jep edhe shembuj kërkesash për planifikimin e një ore mësimore, me detaje mbi temën, lëndën dhe klasën.
“Në një klasë, nxënësit kanë ritme, stile, interesa dhe nevoja të ndryshme të të nxënit. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në përgatitjen e detyrave me nivele të ndryshme vështirësie, në thjeshtimin e shpjegimeve, në krijimin e ushtrimeve shtesë për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje, ose në ofrimin e sfidave më të avancuara për nxënësit që ecin më shpejt”, thotë Agjencia e Sigurimit të Clësisë së Arsimit.
Udhëzuesi ka si qëllim edhe që nxënësit ta përdorin IA në mënyrë të përgjegjshme për të kërkuar informacion, për të realizuar projekte dhe për të zhvilluar kreativitetin, por sfidë mbetet rreziku i dezinformimit, varësisë digjitale, cenimit të privatësisë dhe përdorimit joetik të përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Ndaj orientohen që të kenë në fokus verifikimin e përmbajtjes të gjeneruar me IA, mbrojtjen e të dhënave personale dhe rolin vendimmarrës e ruan mësuesi.
“Shmangia e plagjiaturës kërkon që nxënësit të mësojnë të dallojnë ndërmjet ndihmës së pranueshme dhe kopjimit. Përdorimi i IA-së për të kuptuar një koncept, për të marrë sugjerime ose për të përmirësuar një draft mund të jetë i pranueshëm, nëse nxënësi mendon, përpunon dhe krijon vetë. Por kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve të IA-së, cënon integritetin akademik. Për të nxitur përdorimin e ndershëm, mësuesi mund t’u kërkojë nxënësve të shpjegojnë procesin e punës, jo vetëm produktin përfundimtar”, thotë agjencia.
Me rëndësi vlerësohet anonimizimi, që kur mësuesi apo nxënësi përdor IA për të përgatitur materiale mësimore, duhet të heqë emrat, inicialet, fotografitë, emrin e shkollës dhe çdo detaj tjetër që mund ta bëjë personin të identifikueshëm.
Ky zhvillim për Shqipërinë është bazuar në udhëzuesin e UNESCO-s për politikëbërësit në arsim, ku IA-ja trajtohet si një mundësi për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të mbështetur nxënësit me nevoja të ndryshme, por vetëm nëse përdoren politika të qarta nga mësues të përgatitur dhe me masa për mbrojtjen e nxënësve. Pikëpyetja është sa gati janë shkollat shqiptare për të ligjëruar inteligjencën artificiale në mësim?
Top Channel
