Propozimi për ndryshime 

Ligji për mbrojtjen ndaj produkteve të duhanit do të përfshihet nga disa ndryshime. Propozimet për këto mendime vijnë pasi njësia task-forcë dhe ekspertët e Shëndetit Publik kanë vërejtur gjatë kontrolleve se për përmirësimin e zbatimit të rregullave nevojiten disa amendime me rëndësi. Konkretisht kërkohet që në ligj të bëhen ndryshime për lokalet, baret dhe restorantet, në mënyrë që lejimi i konsumit të duhanit të bëhet në sipërfaqe të përcaktuara. Kjo do të thotë se një bar apo restorant do të mund të ofrojë dy ambiente, një për duhanpirës dhe një tjetër për persona që nuk e konsumojnë këtë produkt. Ky amendim themelor është përkrahur nga bizneset, kryesisht nga ato që janë gjobitur dhe përmbarimi privat është në proces së vjeljes së parave.


Nga data 20 shkurt, zbatimi i ligjit kundër duhanit i ka kaluar drejtorive rajonale të shëndetit publik. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik për Tiranën, Mëhill Gecaj, vetëm në muajin prill janë bërë mbi 200 kontrolle dhe janë vendosur 30 gjoba, po kështu dhe javën e kaluar u vendosën 10 gjoba. Një tjetër propozim që do të kërkohet nga grupi i punës do të jetë ai për gjobitjen e duhanpirësve dhe jo vetëm të pronarit të lokalit. Bashkëpunimi që do të kërkohet do të përfshijë trekëndëshin: inspektorë të Shëndetit Oublik, tatimorë dhe polici bashkiake. Lo.Mi