Janë bërë 50 ditë urdhri i ministres së Brendshme Albana Koçiu për ndalimin e përkohshëm të monopatinave elektrike në të gjithë vendin, me arsyetimin se duhej kohë për të përgatitur rregullat e reja të qarkullimit të tyre.
Por, edhe pse afati nuk u specifikua, tashmë ka kaluar gati dy muaj dhe drafti i premtuar ende nuk është bërë publik.
Më 24 tetor, ministrja mblodhi grupet e interesit, përfaqësues të bashkive, policisë, drejtorisë së transportit rrugor, për të diskutuar bazat e një kuadri të ri ligjor. Në atë takim u garantua që rregullat do të hartoheshin shpejt dhe do t’i jepnin fund kaosit. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 2 mijë monopatina janë sekuestruar nga Policia e Shtetit gjatë këtyre 50 ditëve. Pronarët e tyre presin prej dy muajsh një përgjigje se çfarë do të ndodhë me mjetet, kur do t’u kthehen dhe sipas cilit ligj do të procedohet në të ardhmen. Asnjë afat dhe asnjë mekanizëm për kthimin e tyre nuk është bërë publik.
Ndërkohë, situata në terren mbetet kontradiktore. Në disa zona të Tiranës dhe qyteteve të tjera, policia ndalon përdoruesit, i shoqëron në komisariat dhe u sekuestron monopatinat. Në zona të tjera, qytetarët lëvizin të lirë, duke krijuar një realitet të paunifikuar dhe të paqartë, ku askush nuk e di çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet realisht.
Teksa premtimi mbetet deri tani vetëm një fjalë e thënë, monopatinat vazhdojnë të jenë të ndaluara në letër, të konfiskuara në depo policie, ndërsa kaosi që zgjat nga dita në ditë vazhdon.
