Veliaj gjate fjales ne konferencen e organizuar nga USAIDKryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka marrë pjesë në konferencën për ligjin për financat lokale. Gjatë fjalës së mbajtur Veliaj kërkoi që ky ligj të votohet brenda muajit korrik. Ndër të tjera tha se Tirana po i nënshtrohet ndryshimeve reale dhe që janë në dobi të qytetarëve të saj.


“Lajmi mirë është se sot kemi shkuar nga një situatë kaotike në një proces më të sofistikuar. Sot kemi një qytet më të përqendruar. Duhet të kalojmë në një menaxhim afatgjatë dhe një kryetar i mirë nuk lyp nga qeveria, por kërkon liri. Qeveria t’i japë lirinë e nevojshme që paratë që gjeneron vetë t’i përdorë për të investuar në qytet”, tha Veliaj.


Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se disa prej taksave që caktohen nga Ministria e Financave, si taksa e pronës, duhet të kalojë nën kompetencën e bashkisë. Sipas tij, sot në Tiranë kemi taksat më të ulëta se në të gjitha kryeqytetet e rajonit.


“Nuk po kërkojmë rritjen e nivelit të taksimit, por të rritet baza, niveli i kompetencave që kemi për të bërë diferencime brenda komuniteteve që menaxhojmë”, u shpreh ai.


Nga ana tjetër, Veliaj theksoi se qeveria e ka përkrahur Bashkinë e Tiranës për t’u futur në partneritete publike, ku për financat që mungojnë të ftojë sipërmarrjen për të ndërtuar shkollat e nevojshme për Tiranën.


“Kësaj here jo për të ndërtuar një shkollë në vit, por për të marrë brenda një viti 25-30 shkolla dhe pastaj për t’i paguar me të njëjtën shumë vjetore në formë kësti. Kjo do të na jepte mundësinë të zgjidhim menjëherë dramën e madhe sociale për infrastrukturë arsimore, duke i dhënë fund shkollave me dy turne”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.


Ndër të tjera ai shtoi se jo vetëm Tirana, por të gjithë kryeqytetet kanë një përqendrim më të madh të popullsisë, ç’ka kërkon shërbime dhe investime më të mëdha sesa ishin menduar.


10 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)