Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rrëfyer jetën e tij në 360 gradë, nga rinia dhe familja, politika dhe sfidat, profesioni dhe pasionet. Ai ka rrëfyer njohjen me bashkëshorten, Liri Berishën dhe jetën e tyre martesore, teksa foli dhe për fëmijët.

“Lili ishte fati im. Një vit e gjysmë, dy pas njohjes u martuam. Nuk kemi bërë dasmë. Jo, nuk kemi bërë, kushtet ishin të atilla. Ishte nga një familje me tradita, edhe prindërit e mi e donin shumë, Ishim të dy mjekë. Ajo ishte më e zënë, se përveç punës kishte edhe shtëpinë. Ajo e kishte me pasion mjekësinë, por unë i sugjerova pediatrinë. U dashurua me profesionin e vetë, e donte shumë, sepse fëmija i pasqyron gjërat më shumë se i rrituri, ndaj ajo është e dashuruar me profesionin e vetë. Me gjithë dëshirën që kisha për ta ndihmuar, nuk e ndihmoja dot. Dhe shikoja vjehrrën time që i kërkonte të birit të njëjta gjëra si kërkesat që kishte ndaj vajzave dhe e shikoja si pozitive këtë gjë”, tha kryedemokrati.

Kurse për fëmijët shtoi:

“Me fëmijët isha shumë i lidhur, por nuk kisha shumë kohë. Dhe përpiqesha që ta kompensoja me sa të mundesha. Kemi bërë pushime brenda vendit, kemi shkuar në Tropojë, por vendim im i preferuar për pushime ishte Pogradeci. Kemi shkuar 13 vera radhazi atje me familjen, ku ishim me një familje mikëpritëse pogradecare. Shkoja me fëmijët atje, ishte vendi im i preferuar, jetë e qetë familjare. Fëmijët nuk i kam ndikuar në zgjedhjet e tyre, doja t’u sugjeroja edhe mjekësinë, por nuk i kam ndikuar. Të dy u shkolluan në Tiranë dhe bënë masterat jashtë në degët e tyre. Argitës nuk i dhanë më 1990 të drejtën për Juridik dhe më 1991 kaloi nga Biologjia te Fakulteti Juridik. Edhe Shkëlzeni ndoqi rrugën e drejtësisë gjithashtu, Avokatinë, sepse ishte trend në atë kohë”, rrëfeu ai.