Kryetari i Partisë Demokratike, u ka bërë thirrje të rinjve që të marrin pjesë në protestat kundër qeverisë. Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, Berisha deklaroi se të rinjtë duhet që të lënë shkollat dhe çdo gjë tjetër e të mbushin sheshin dhe t’i bashkohen revoltës kundër qeverisë.  

“Miq, 20 shkurti është dita e krenarisë tonë. Dhe shkojmë më 20 shkurt më krenarë se asnjëherë. Shkojmë më 20 shkurt kur ne u faktuam shqiptarëve dhe njerëzve liridashës në mbarë botën se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë kriminale që kemi në krye. Shkojmë më 20 shkurt në një kohë kur ne kemi marrë, të betuar, përsipër misionin e shpëtimit të Shqipërisë. Ne shkojmë me 20 shkurt me një trashëgimi kur kemi kaluar mbi tanke, autoblinda dhe kemi zvarritur rrugëve të Tiranës kultin më të lig dhe më të keq, kultin e Enver Hoxhës që shqiptarët kanë njohur në histori. Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar më 20 shkurt në Tiranë, më 20 shkurt në ora 6, Tirana e tëra derdhet në rrugët dhe bulevardet e saj. Shqipëria në Tiranë, t’i dalim zot Shqipërisë, t’i kapim goditjet e merituara regjimit antishqiptar të Edi Ramës.

T’ia nxijmë çdo ditë gjer në largimin e tij. Ne me asgjë nuk ndalemi. Ne jemi njerëz të besojmë të vërtetën. Ne jemi njerëz të idealeve të ndershme. Ne jemi njerëz që duam këtë vend të jetë toka e bekuar e shqiptarëve. Këta janë armiq pushtuesit më të egër që kemi njohur. Nuk na lidh asgjë me këta. Këta kanë kryer krime të shëmtuara për të cilat duhet të shkojnë atje ku mbahen kriminelët dhe fajtorët. 20 shkurti është një thirrje për rininë shqiptare, nuk ka fat më të madh, nuk ka shans më të madh për një të ri se në rininë e tij të hidhet në betejë kundër të keqes më të madhe të kombit të tij. Ndaj dhe i lini shkollat, lini çdo gjë, mbushni sheshin, të jetë Tirana juaj, e ardhmja juaj, Shqipëria në zemër, në besimin, në shpresën tuaj. Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme për misionin që po kryeni, për sukseset që kemi arritur, dhe u garantoj se forcë në botë nuk na ndalon pa përmbysur këtë mision që kemi nisur. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria,“- tha Berisha.