Ibrahimi: Aboneja të shitet pa karton, ose do të gjobiten nga 5000-20000 lekë të reja
Shpresa Mezini
Drejtuesit e linjës së Saukut nuk zbatojnë urdhrin e Bashkisë së Tiranës për zhdukjen e kartonit shoqërues të abonesë. Si rrjedhojë, rrezikohet licenca e shërbimit që ofron ky operator. Ky është konstatimi i arritur në monitorimet e kryera në linjat e transportit qytetas prej Agjencisë për Mbrojtjen Konsumatorit.
Ka mjaftuar ky rezultat që Bashkia e Tiranës të vihet në punë për zbatimin e një sërë masash penalizuese për shkelësit e këtij vendimi, që po zbatohet nga të gjitha linjat me përjashtim të operatorit të Saukut.
“Gjobat kanë qenë nga 5000-20000 lekë të reja. Gjoba, penaliteti i kontratës për këtë rast, i cili është përdorur në 20 herë, është 20000 lekë të reja, por ajo që është më e rëndësishme, është se ne kemi filluar vlerësimin e performancës së këtij operatori, për ta konkretizuar më tej me propozimin për fillimin e procedurës së heqjes së licencës”, tha drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Geron Ibrahimi.
“Bashkia e Tiranës, përmes një shkrese, u ka kërkuar të gjithë operatorëve të transportit publik, që të tregtojnë abonetë pa kartonin shoqërues. Kjo, mbështetur në faktin që abonetë e tregtuara nga Drejtoria e Tatim-Taksave kanë të gjitha elementet e nevojshme të sigurisë. Asnjë nga operatorët e licencuar nga Bashkia e Tiranës nuk do të tregtojë më abone të pajisura me karton shoqërues”, theksoi drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha.
Nga ana tjetër, Ibrahimi shtoi: “Gjatë kësaj periudhe, që kur u bë paralajmërimi i parë, AMK ka ndërmarrë 23 masa për operatorin e Saukut, i cili ka krijuar dezinformim qytetar. I bëjmë thirrje edhe njëherë operatorit, që të mos vazhdojë të dezinformojë qytetarët, duke i shitur abonetë me karton, pasi është totalisht e papranueshme, ndërkohë që urdhri i bashkisë është i saktë dhe i qartë, duke u shprehur se “nuk do të shoqërohen me karton”. Ne, si Agjenci e Mbrojtjes së Konsumatorit, kemi filluar vlerësimin e konkretizimit të propozimit të heqjes së licencës për këtë operator, ndaj i bëjmë edhe njëherë thirrje, që të mos dezinformojë qytetarët dhe të rrisë cilësinë e shërbimit të transportit publik”. Por, ndërsa Bashkia e Tiranës mendon se kartoni shoqërues është i parëndësishëm, Shoqata e Transportit Qytetas deklaron tërësisht të kundërtën.
“Kemi 8 vjet që aboneja, e cila është letër me vlerë e miratuar nga qeveria, me logon e Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Transportit Qytetas, shitet bashkë me një karton, i cili disponon elemente sigurie që ndërrohen për çdo muaj, me qëllim mosfalsifikimin e tyre. Praktika ka qenë e njëjtë, ndërsa këtë muaj drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit ka urdhëruar që kartoni që shoqëron abonenë të dalë jashtë funksionit. Duke nxjerrë kartonin jashtë loje, aboneja është lehtësisht e falsifikueshme. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit duhet ta mbrojë konsumatorin, jo t’u kundërvihet atyre duke u hapur rrugën abuzimeve”, sqaroi Hazbi Përllaku, drejtor i Shoqatës së Transportit Qytetas.
Vëzhgimi
Drejtuesit e linjës së Saukut nuk e zbatojnë urdhrin e Bashkisë së Tiranës, për zhdukjen e kartonit shoqërues të abonesë
Gjobat
Penalizimet variojnë nga 5000-20000 lekë të reja. Aktualisht po diskutohet edhe heqja e licencës për linjën e Saukut
Bashkia
Të dalë nga qarkullimi kartoni shoqërues. Abonetë e prodhuara nga Tatim-Taksat kanë të gjitha elementet e nevojshme të sigurisë