SPAK kërkon nisjen e gjyqit për kryebashkiakun e Partisë Socialiste në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli, për korrupsion aktiv në zgjedhje. 

Sipas SPAK gjatë fushatës se 11 majit, Kristian Shkreli “u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë e Vaut të Dejës, në këmbim të votës për Partinë Socialdemokrate”, të Tom Doshit.

Kryebashkiaku tha, se ndërtimi i linjës elektrike nuk është tagër i bashkisë. 

“Investimi është kryer nga OSHEE. Nuk u kam premtuar banorëve se do u bëj linjën elektrike, sepse nuk kam cfarë linje të bëj unë. Nuk i kam kërkuar banorëve të votojnë për Tom Doshin.”.

SPAK përmend në njoftim zyrtar, se ka edhe përgjime të bisedave telefonike, vëzhgime, etj, por kryebashkiaku Shkreli thotë se në dijeninë e tij janë biseda të banorëve mes njëri-tjetrit, që shprehen se “ia kemi borxh Kristjanit votat”

E vërteta sipas tij, do të dalë edhe nga ballafaqimi me dëshmitarët nëse GJKKO pranon kërkesën e SPAK dhe nis gjyqin.

 “Shpresoj që gjykata të vendosë drejtësi”, u shpreh kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli.