Përmirësimi i infrastrukturës rrugore është prioritet i bashkisë Kamëz. Gjatë vitit 2018 janë në proces realizimi mbi 80 projekte në infrastrukturë (mbi 20 në Paskuqan) të cilat janë prokuruar, lidhur kontratat me firmat fituese, në disa prej këtyre investimeve vazhdon puna me intensitet dhe në një pjesë e tyre punimet do të nisin në ditët në vijim.
Krahas 20 investimeve që po kryhen këtë vit në Paskuqan, një prej tyre mjaft i rëndësishëm është edhe rruga “Mustafa Lita që përshkon të gjithë liqenin e Paskuqanit.
Impakti i investimit në rrugën “Mustafa Lita” do të jetë i jashtëzakonshëm për banorët e zonës. Kjo, për shkak se lidh në mënyrë organike lagjet e Njësisë Administrative Paskuqan me lagjen Bulçesh dhe duke rivitalizuar gjithë zonën që përfshin ky investim. Ndërtimi i rrugës “Mustafa Lita” është një nga projektet më të rëndësishme të Bashkisë Kamëz për vitin 2018, një investim prej të cilit përfitojnë më shumë se 2500 familje që banojnë përgjatë gjithë segmentit, një shifër kjo që tregon vëmendjen që institucioni i Bashkisë i kryen shërbimet dhe investimet me një studim mjaft të qartë urban.
Deri më tani kjo rrugë ka qenë jashtë kushteve të lëvizjes e komunikimit, qoftë për mjetet ashtu edhe për qytetarët e kësaj zone. Projekti i kësaj rruge kap gjatësinë prej 2420 metrash linearë dhe një gjerësi prej 8 metrash, duke përfshirë të gjithë parametrat e një rruge me standarde bashkëkohore.
Sigurisht që investimi do të krijojë mjaft lehtësi dhe përfitime, qoftë për ushtrimin e aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale, por krijohet një mundësi e re për çeljen e bizneseve të reja duke pasur njëkohësisht edhe ndikim të drejtpërdrejtë në çeljen e vendeve të reja të punës.
5 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)