Apeli ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin Jamarbër Malltezi, duke e liruar kështu nga qelia e paraburgimit.
Nga ana tjetër siç bëhet me dije nga burimet për media për ish-kryeministrin Sali Berisha nuk ka ndryshim mase sigurie, të cilat janë: “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj pas mbarimit të seancës tha se beteja për këtë çështje do të jetë e gjatë, ndërsa theksoi se deputeti nuk ka rrezik të largohet nga vendi, pasi dy ditë të javës është në parlament.
“Ndaj Malltezit u caktua masa e arrestit në shtëpi. Kjo çështje mbetet politike, është një gërvishtje, Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Kjo çështje është politike, është e pamundur që për çështje të tilla brenda një dite pune të dorëzohet kallëzimi dhe të regjistrohet procedimi penal. Gjykimi dje u karakterizuar nga një gjuhë e drunjtë e prokurororisë. Berisha nuk ka rrezik të iki, dy herë në javë është në parlament. Problemi është ligjor, se ajo kërkesë rrjedh nga një procedurë antikushtetuese. Ditën e enjte kemi seancën tjetër. Beteja do të jetë e gjatë”, tha Gjokutaj.
Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B. Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë: Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë”, sipas njoftimit të Apelit të Posaçëm.