Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka përfunduar ditët e qëndrimit në burg.

Vangjush Dako u dënua me 2 vite e tetë muaj burgim nga Gjykata e Apelit të Posaçëm. Por, pas dhënies së dënimit nga Apeli i GJKKO përfundoi në spital. Pasi gjendja e tij shëndetësore u përmirësua, më 21 shtator u rikthye në burgun e Durrësit për të përfunduar ditën e mbetura të dënimit në qeli.

Më pas Dako, në momentin që mori vesh dënimin, u shtrua në repartin e Sëmundjeve Infektive nën mbikëqyrjen e Forcës së Policisë së Burgjeve, për shkak të problemeve shëndetësore, pasi vuan nga aritmia, ankthi dhe hernia diskale.

Avokati i tij deklaroi se ish-kryebashkiaku do të qëndronte në qeli vetëm për 6 ditë, pasi sipas përllogaritjeve i mbaron dënimi. Pjesën më të madhe të dënimit ai e ka kryer në “arrest shtëpie”.

Dako u akuzua nga SPAK për shpërdorim detyre në dy episode, i pari i me lidhur me miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle sh.p.k”, ku ai dhe vartësit përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët kishin hyrë në apartamentet e tyre për të banuar.

Episodi i dytë lidhet me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Prokuroria e Posaçme thotë se komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, gati 10 herë më shumë sesa vlera që duhet të llogaritej ne bazë të të vendimit të Këshillit të Ministrave.