KLD-ja


Pranohet kërkesa e ministrit: Nuk zbardhi 60 dosje, diskreditoi punën e togave të zeza


Presidenti tha se është e papranueshme që gjyqtarët të bëhen pengesë dhe privojnë palët nga ushtrimi i të drejtave të tyre


Pas vrasjes së Adem Tahirajt, ku autori ishte pikërisht i liruari Ilir Xhakja, gjyqtari Tabaku zbardhi shpejt e shpejt vendimin


Gjyqtari Neritan Tabaku shkarkohet nga detyra me motivacionin e diskreditimit të figurës së togave të zeza. Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi unanimisht këtë masë ndaj Tabakut, i cili nuk ka zbardhur 60 dosje në karrierën e tij si gjyqtar, duke përfshirë këtu edhe vendimin që i dha lirinë Ilir Xhakes, i cili vrau shefin e Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj. Në mbledhjen e djeshme, gjyqtari sërish nuk ka marrë pjesë, megjithëse ishte njoftuar apeleve publike, por edhe nëpërmjet njoftimeve në gazeta. I pranishëm në mbledhje ishte fillimisht vetëm avokati i Tabakut, i cili ka deklaruar se ka prokurë përfaqësimi vetëm për të paraqitur pretendimin për pezullim të kërkesës së Ministrisë Drejtësisë, kërkesë e cila u rrëzua. Mëtej kjo çështje ka vijuar në mungesë.


“Presidenti i Republikës, njëkohësisht kreu i KLD-së, theksoi se është e papranueshme për standardet që kemi qëllim të vendosim në sistemin gjyqësor, ekzistenca e rasteve të tilla, ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë dhe privojnë palët nga ushtrimi i të drejtave të tyre kushtetuese”, thuhet në njoftimin e KLD-së. Ndërkohë, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaroi si të papranueshme neglizhencën e gjyqtarit në moszbardhjen e vendimeve dhe mosdorëzimin e mbi 60 dosjeve gjyqësore, duke sjellë pasoja të rënda për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë. “Por ajo çka është më e patolerueshme në këtë çështje, është diskreditimi i rëndë i figurës së gjyqtarit dhe prishja e imazhit të gjithë trupës gjyqësore, nga qëndrimi i mbajtur prej Tabakut, përpara, gjatë dhe pas inspektimit të rastit”, thuhet në njoftim, ku anëtarët e KLD-së dhanë mesazhin se raste të tilla duhet të evidentohen dhe të shqyrtohen me prioritet, duke ruajtur të njëjtin standard në vendimmarrje.


Ndërkohë, disa ditë më parë, gjyqtari Tabaku është marrë i pandehur për shpërdorim detyre. Prokuroria e Tiranës i komunikoi akuzën, ndërsa ka dyshime se Tabaku ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që i dha lirinë Ilir Xhakes. I pandehuri është paraqitur pas shumë fletëthirrjesh në njësinë Task-Forcë, në akuzën e kryeqytetit. Ai ka ngurruar të japë deklarime, ndërsa ka shtuar se gjithçka do e sqarojë më vonë, në momentin që çështja të shkojë në gjykatë. Sipas procedurave, të cilat i njeh shumë mirë, pasi ka qenë për shumë vjet gjyqtar, në momentin që prokuroria përfundon hetimet, duhet t’ia komunikojë vendimin, dhe pyetet nëse dëshiron të japë shpjegime. Këtë moment duket se e pret edhe Tabaku, pasi më vonë, prokuroria nuk mund të verifikojë deklaratat e tij. Çështja shkon në gjykatë dhe fillon shqyrtimi gjyqësor, ku Tabaku mund të flasë sa herë të dëshirojë dhe të sqarojë çdo moment. Megjithatë, duke u ndalur te dosja, prokuroria thotë se ka dyshime, këto të faktuara edhe nga dokumentet e dëshmitarët, që Tabaku ka vonuar së tepërmi zbardhjen e vendimit që liroi Ilir Xhaken, madje këtë çështje e mbajti në sirtar për rreth 20 muaj. s.ç.