Hyjnë në fuqi ndryshimet, nuk kemi shtim të molekulave të reja, s’ka shtim të pacientëve përfitues


Lorina Mixha


Prej pak ditësh ka hyrë në fuqi lista e re e barnave me rimburism. Për këtë vit, pacientët shqiptarë nuk do të kenë ilaçe të reja të përfshira në skemën e rimburismit.


Ashtu siç shpjegohet nga ekspertët e farmaceutikës, për të qenë korrekt, nuk kemi asnjë molekulë të re për 2012-n.


Kemi të njëjtat produkte si në 2011-n, por në disa forma.


Nëse do ta shpjegojmë në gjuhë më të thjeshtë, kemi një ilaç në forma të ndryshme, të lëngshme ose të ngurtë, ampulë ose gjilpërë. Këto janë të njëjtat molekula, i njëjti produkt, por në disa variante. Këto quhen barna që nuk kanë kosto. Edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit të hartimit dhe të rishikimit të listës së barnave, anëtarët kanë vendosur përfshirjen e të gjitha barnave pa kosto në listë. Ndërkohë që nuk janë diskutuar alternativat e reja që u propozuan nga mjekë e ekspertë të fushës. Madje sipas kompanive farmaceutike, nuk janë përfshirë as ato alternativa të reja të barnave, të cilat janë molekula të reja, me më shumë efektshmëri dhe me të njëjtën kosto, si ato me “teknologji më pak të avancuar”. Një pjesë e sugjerimeve jo vetëm që nuk janë bërë pjesë e listës, por nuk janë bërë as pjesë e diskutimeve në komision.


Kategoritë


Grupet e pacientëve, të cilët do të përfitonin nga lista e barnave të sugjeruara nga mjekët, janë kryesisht pacientët me tumore, ata që trajtohen për sëmundje të gjakut, pacientët me tension, diabet, pacientë kronikë të sëmundjeve të zemrës.


Ata do të marrin të njëjtat ilaçe si në vitin 2011. Nuk do të kenë formë doza të reja, barna të cilat janë më të shtrenjta, por koston e justifikojnë me efektshmërinë dhe emrin e mirë që mbajnë në tregun farmaceutik ndërkombëtar. Për këtë herë, lista e 2012-s nuk ka asnjë risi. 26 barnat e përfolura si të reja, sipas specialistëve të farmaceutikës, nuk janë të reja, janë të njëjtat molekula, por të dhëna në variante të ndryshme. Në rastin e listës së 2012-s në disa raste kanë edhe emrat e njëjtë, por sasinë të ndryshme. Mund të kenë edhe emra të ndryshëm, por kanë të njëjtën përbërje. Pacientët e prekur nga HIV/AIDS-i janë grupi i të sëmurëve që kanë pritur këtë vit për t’u përfshirë në skemën e rimbursimit. Ata kërkojnë kompensim për terapinë mbështetëse, barna të cilët u heqin dhembjen dhe trajtojnë efektet anësore të produkteve bazë me të cilat trajtohen. Por as për këtë vit, kërkesa e tyre dhe e mjekëve që trajtojnë sëmundjet infektive, nuk u përfshi në agjendën e diskutimeve.


Kostot


Për një listë që përsëritet nga viti 2011 në 2012-n Komisionit të hartimit dhe të rishikimit të listës së barnave me rimburism iu desh gati një vit për të diskutuar e për të vendosur për barnat e reja.


Lista e vitit 2012 hyn në fuqi në muajin e tetë të vitit, ndërkohë që sipas udhëzimit të lëshuar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, lista e barnave duhet të hynte në fuqi në janar të çdo viti dhe diskutimet për të, të nisnin që në muajin shtator, për të dorëzuar draftin përfundimtar në qeveri, që në muajin dhjetor. Buxheti i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për barna, për këtë vit, është rreth 7 milionë dollarë. Sipas Kujdesit Shëndetësor ka rritje të shpenzimeve për listën nga viti në vit për dy arsye: e para, ka shtim të pacientëve që më parë nuk ishin sëmurë por tani marrin recetë dhe e dyta, një pacient, që më parë kishte një sëmundje, tani vuan nga dy tilla. Këto kanë çuar edhe në rritje të shpenzimeve të rimbursimit.


 


Të dhëna


Barnat


Ilaçet e reja të miratuara me VKM, 26 produktet janë zëvendësime të terapive që ishin të rimbursuara në 2011-n dhe jo shtesa që mjekojnë një diagnozë të re


 


Vonesa


Për një listë që përsëritet nga viti 2011 në 2012-n Komisionit të hartimit dhe të rishikimit të listës së barnave me rimburism iu desh gati një vit për të diskutuar e vendosur për barnat e reja