Grosistët dhe mjekët, në fazë propozimesh për ilaçe të reja Pritet të ndryshojë rrënjësisht


Lorina Mixha


Lista e re e barnave me rimbursim do të miratohet deri në fund të muajit dhjetor. Projekti i listës së barnave, pasi të shqyrtohet nga komisioni i hartimit dhe shqyrtimit të ilaçeve do të kalojë për t’u miratuar paraprakisht në Ministrinë e Financave. Pas miratimit nga ky dikaster do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë lista e re e barnave do të ketë ndryshime rrënjësore dhe do të merren në konsideratë për ndryshim nga ilaçi i parë i kësaj liste tek i fundit. Duke pasur parasysh edhe çmimet e referencës të tre vendeve të rajonit, lista e barnave do të rimodelohet dhe do të përfshihen për kategoritë e pacientëve që përfitojnë nga kjo “qese” barna të reja, alternativa më të mira me kosto optimale.


Dy javët e para të muajit dhjetor do të shërbejnë për të pritur propozimet nga mjekët e qendrave spitalore, por edhe specialistët e parësorit, qendra shëndetësore e poliklinika. Po ashtu pritet që firmat farmaceutike të prezantojnë ilaçet dhe çmimet me të cilat do të negociojnë me autoritetet shëndetësore për të përfshirë barna më cilësore, më të lira apo më të shtrenjta.


Propozimet që duhet të mbërrijnë në Drejtorinë e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë duhet të jenë të mbështetura në fakte, të argumentohen dhe të referohet edhe përvoja e mjekut për pacientët që trajton në shërbimin ku punon duke marrë në konsideratë edhe mendimin e kolegëve dhe grupeve të interesit.


Ilaçet e reja më të cilat do të trajtohen pacientët, pensionistët, të sëmurët kronikë apo pacientët e moshave pediatrike do të shqyrtohen me më shumë kujdes se vitin e kaluar, kur për shkaqe neglizhence dhe disakordancash disa ilaçe nuk u përfshinë alternativa barnash tepër efikase dhe prodhime të njohura në tregun farmaceutik ndërkombëtar, pavarësisht çmimeve të leverdishme që ofruan grosistët.


Edhe për këtë vit buxheti i shëndetësisë në përgjithësi, por edhe buxheti i veçantë që do të përdoret për blerjen e barnave të listës me rimbursim nuk do të jetë tepër i lartë.


Në rimbursimet e këtij viti do të përfshihen pacientët shqiptarë të trojeve që për probleme të veçanta, për sëmundje që nuk gjejnë trajtim në qytetet e lindjes, marrin trajtim në spitalet shqiptare.


Për vitin 2012, pavarësisht përpjekjeve të shoqatave të pacientëve apo distributorëve të produkteve farmaceutike, disa nga barnat që përdoren në vendet e zhvilluara dhe që trajtojnë edhe sëmundje të vështira, një pjesë e alternativave dhe propozimeve nuk u morën në konsideratë pavarësisht lëshimeve që u bënë për negocimin e çmimit.


 


Shqiptarët e trojeve


Në rimbursimet e këtij viti do të përfshihen pacientët shqiptarë të trojeve që për probleme të veçanta, për sëmundje që nuk gjejnë trajtim në qytetet e lindjes, marrin trajtim në spitalet shqiptare.