Një tjetër zhvillim i bujshëm lidhet me emrin e shumëpërfolur Ervis Martinaj, por këtë herë jo për proceset e konfiskimit të pasurive, por për planet konkrete të vrasjes ndaj tij dhe disa personave të tjerë, të përpiluar nga Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjyqtari paraprak Erjon Çela ka urdhëruar njoftimin publik jo vetëm për Martinajn, por edhe për gjashtë emra të tjerë të përfshirë ose të shënjestruar në atentate të bujshme, mes tyre Famir Hyseni (i njohur si Doqja), Preng Gjini, Arben Ndoka, Durim Bami, si dhe të afërm të një gjyqtareje të posaçme, bashkëshorti i së cilës është ndjerë i kërcënuar dhe tashmë ka ndërruar jetë.
Këta emra rezultojnë si shënjestra në një përplasje të egër mes grupeve kriminale, e dokumentuar nga operacioni i njohur si “Revanshi”. Hetimet e SPAK kanë veçuar 14 persona të pandehur si pjesë e këtij rrjeti, përfshirë figura të njohura si Astrit Avdyli, Leonard Duka, Enver Diva, Gjergj Cukali, Emiliano Shullazi dhe të tjerë.
Sipas SPAK, secili prej tyre ka qenë pjesë e një zinxhiri atentatesh të planifikuara me objektiv eliminimin e rivalëve. Hetimet për secilin grup janë ndarë dhe po ndiqen veçmas, ndërsa njoftimi për seancën paraprake të së hënës është shpërndarë publikisht edhe për personat në kërkim, si dhe për viktimat e mundshme të këtyre komplotëve kriminalë.
Procesi, ashtu si në seancat e mëparshme, do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
