Janë publikuar pamjet nga sendet e gjetura në qelinë e Dan Hutrës, i cili po planifikonte të arratisej nga burgu i Fierit.

Mësohet se Dan Hutra përmes shtypjes së tenxhereve kishte krijuar mjete prerëse për hekurat e dritares, ku planifikonte  të kalonte duke përdorur një çarçaf lidhur në formë litari. Gjatë kësaj kohe, ishte bërë e mundur prerja e një zgavre, ndërsa kishin mbetur për t’u prerë edhe dy tjera, të cilat nuk dihet se sa kohë do të donin.

Të përfshirë në planin e arratisjen ishin 3 të burgosur nga Vlora për vjedhje, Geraldo Veizi, Martin Kapllani dhe Feti Kovaçi. Dyshohet se plani u organizua gjatë festave të fundvitit, teksa 4 të burgosurit kishin në plan të shfrytëzonin ndërrimin e  turnit të rojeve në burgun e Fierit për t’u “zhdukur” nga qelia.

Kujtojmë që Dan Hutra në marsin e vitit të kaluar ekzekutoi me armë zjarri tre gra, ndërsa kishte planifikuar edhe një vrasje të katërt, plan të cilin nuk e realizoi dot pasi u vu në pranga nga autoritetet policore.

Më 1 mars 2023, Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, shitëse në një dyqan. Në dëshminë e saj, Gurakuqi ka deklaruar se e njihte Dan Hutrën pasi i shkonte dhe i kërkonte shpesh para.

Kësaj here ajo kishte refuzuar që t’i jepte para, e për pasojë ai e kishte plagosur me thikë. Më pas, me një plan të qartë në kokë, me të njëjtën makinë dhe të njëjtat armë krimi, Dan Hutra u nis drejt Paskuqanit te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe.

Vrasësi u fut brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe qëlloi me breshëri ndaj tyre. Si pasojë ndërruan jetë motra e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të Elena Hysës, gjithashtu 30-vjeçare, Hasime Dafku. Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë. Masakra vijoi edhe më tej.

Hutra, i arratisur me makinën Benz të zi dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti.

Faji i vetëm i Etlevës ishte se ishte motra e Vladimir Kurtit, ky i fundit vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Drenovë për vrasjen në 2018-ën të Agim Buçit dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative grabitje në dyqanin e tyre në Tiranë, skenë e ndodhur e gjitha në prani të djalit të tyre 6-vjeçar në atë kohë.

Vladimir Kurti në një telefonatë nga qelia, tregoi asokohe se kishte pasur një debat të ashpër me Dan Hutrën teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg, madje e kishte kërcënuar herë pas here se do i vriste motrën.

Pas disa orësh kërkime, Hutra arriti që të vihej në pranga dhe u dërgua në burgun e Fierit, aty ku sot tentoi “të fitonte” lirinë.