Finalizohet në Tiranë operacioni “Loja e fundit”, ku është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e një grupi në fushën e vjedhjeve të automjeteve. Lidhur me ngjarjen e datës 12 shkurt 2016, ku u bë i mundur që pas një ndjekje prej 30 minutash nga forcat policore të kapej dhe të arrestohej shtetasi Musa Xhauri, vjeç 21, policia thotë se sot, nga ana e shërbimeve të Policisë së Komisariatit Nr.6, në sajë të një pune operative legale u bë e mundur finalizimi i plan operacionit të koduar ” Loja e fundit”.
Nga tërësia e veprimeve procedurale rezultoi se përveç shtetasit Musa Xhauri, i cili u arrestua në flagrancë ditën e djeshme, të dokumentohen me prova ligjore veprimtaria kriminale edhe e pjesëtarit të dytë shtetasit, Sh.D., 21 vjeç lindur në Kukës dhe banues Durrës , i dënuar më parë për vjedhje, i cili u shpall në kërkim nga policia. Gjithashtu në grupin kriminali dyshohet se bën pjesë edhe një person i tretë, dhe po punohet për identifikimin e tij. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri -tjetrin dyshohen si autorë të disa vjedhjeve të mjeteve , vjedhje të dokumentuara me prova ligjore.
Ja vjedhjet e dokumentuara të policisë
Më 24 janar 2016, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur gjatë natës në rrugën “Aleksandri i Madh”, në afërsi të pallateve të kompleksit “Molla”, automjetin e markës ‘Mercedes Benz Sprinter” (Furgon), në pronësi të një firme për shitje të produkteve ushqimore.
Më datë 30 janar2015, kanë vjedhur në rrugën “Aleksandri i Madh”, automjetin i markes Mercedes Benz (sprinter), në pronësi të shtetasit I. H
Më datë 10 shkurt .2016, kanë vjedhur rreth orës 22.00 në parkingun pas “Kasa Italia-s”, mjetin kamion i markës “Benz Mercedez”, në pronësi të një firme.
Më 12 shkurt 2016, rreth orës 08.00, në rrugën “Aleksandri i Madh”, pallati “Molla”, kanë vjedhur automjetin e markës “Ford Escort”, në përdorim të shtetasit S. M
Më datë 12 shkurt 2016 në fshatin Marikaj, kanë vjedhur autoveturën e markës “Benz 250”, në pronësi të shtetasit K.D.
Policia ka mundur që të gjejë vetëm dy nga makinat e vjedhura, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Po punohet në drejtim të verifikimit të vendndodhjes dhe gjetjen e mjeteve të vjedhura. Materialet e para procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Tiranë, për hetime të mëtejshme në lidhje me veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.
13 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)