Këshilli Bashkiak
Këshilltarët e LSI-së: Po, jemi njoftuar. Opozita: Nuk kemi asnjë shkresë zyrtare për mbledhje
Lorina Mixha
Mbledhja e Këshillit Bashkiak do të jetë më datë 9 tetor. Njoftimi është bërë për këshilltarët e koalicionit të djathtë, përkatësisht anëtarët e PD-së dhe anëtarët e LSI-së.
Sekretaria e Këshillit Bashkiak ka njoftuar Bashkinë e Tiranës, për të marrë miratimin e pranisë së kreut të bashkisë, Lulzim Basha. “Jemi njoftuar nga Këshilli Bashkiak, se data 9 është mbledhja e radhës”, deklaroi zyrtarisht bashkia. Po ashtu, kreu i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj, ka pranuar se është njoftuar nga Këshilli Bashkiak, se në datë 9 është parashikuar mbledhja e Këshillit Bashkiak. “Jam kontaktuar dhe më kanë pyetur për datën 9. Jam përgjigjur se nga data 1 në datë 10 ndodhem në Shqipëri, dhe datën 9 tetor e kam marrë për të mirëqenë se do të zhvillohet mbledhja”, deklaroi Rrokaj. Nga ana tjetër, sipas sekretarisë së Këshillit Bashkiak, rezulton se në mbledhjen e radhës do të miratohen vendimet e parashikuara në mbledhjen e një muaji më parë, përfshi këtu edhe projektvendimi për lojërat e fatit, taksat që do të vendosen nga qeveria vendore për të gjithë ata që kanë biznese, si kazino, baste e gjithçka tjetër që përfshin grupi “lojëra fati”.
Sakaq, këshilltarët opozitarë, anëtarët e Parlamentit vendor që mbajnë logon e Partisë Socialiste, deklarojnë zyrtarisht se nuk janë njoftuar për mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Madje, ashtu siç deklaroi pak kohë më parë edhe njëri nga këshilltarët e PS-së, Gent Gazheli, shumicën e rasteve kur ka mbledhje këshilli, kur organizohen aktivitete apo kur ka takime të rëndësishme me komunitetin, anëtarët e opozitës njoftohen nga media, pasi sekretaria e Këshillit Bashkiak apo Bashkia e Tiranës nuk i njofton ata zyrtarisht.
Një muaj më parë, mbledhja e Këshillit Bashkiak nuk është zhvilluar, për shkak të mungesës së anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zyrtarisht, Këshilli Bashkiak deklaroi se kjo u shty, për shkak të mungesës së disa anëtarëve, nga PD-ja dhe LSI-ja, ndërkohë që pak ditë më vonë, nga anëtarët e PD-së u sqarua se mbledhja nuk u zhvillua, edhe sepse kreu i këshillit, Njazi Kosovrasti, ishte i sëmurë, së bashku me nënkryetarin Zamir Ndroqi.
Anëtarët e Partisë Socialiste në parlamentin vendor deklaruan se mbledhja nuk u zhvillua, për shkak të humbjes së mazhorancës në këshill dhe se LSI-ja po i jep një mesazh të qartë të gjithë opinionit publik dhe PD-së.
Sakaq, më datë 9 tetor do të diskutohen vendimet për lojërat e fatit, tarifat vendore që duhet të paguajnë bizneset në rast se mbajnë aktivitetin brenda qytetit dhe parashikimet ligjore për ata që nuk do t’i paguajnë këto tarifa. Sipas propozimit të bashkisë, këto biznese do të duhet të spostohen në periferi. Po ashtu, pritet të miratohen vendimet për një linjë të re transporti dhe ndryshimin e itinerareve për një nga linjat aktuale.
Vendimi tjetër lidhet me disa ndryshime në organigramën e tatimeve në varësi të bashkisë, si dhe ndryshime në njërën prej njësive bashkiake të kryeqytetit.