Një tjetër rast i organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit është zbuluar në Has, ku policia ka zhvilluar operacionin e koduar “Pokeri”, duke sekuestruar 10 makineri elektronike, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet.
Në përfundim të operacionit, është arrestuar në flagrancë një 47-vjeçar, i cili punonte në lokal, ndërsa pronari 34-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar 10 makineri elektronike të markës “APEX”, një tavolinë pokeri, fletore me shënime për shumat e luajtura, si dhe një aparat celular.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e pronarit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Kukësit për veprat penale që lidhen me fshehjen e të ardhurave, mospagimin e taksave dhe tatimeve, organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit dhe vënien në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e tyre.
