Deputeti Partisë Socialiste, Erion Braçe, mbajti ditën e sotme interpelancën në Kuvend me ministren e Bujqësisë Frida Krifca, ku nuk i kurseu dhe notat e ironisë ndaj kolegëve të tij socialistë.

Braçe thekson se ai është akuzuar si populist, ndërsa me ironi shtoi se me qëndrimet e tij për bujqësinë mërziti dhe kolegët socialist Pandeli Majko dhe Antoneta Dhima, duke ndarë njerëzit e zakonshëm nga elita e bujqësisë.

“Kam bërë populistin kaq kohë kam mërzitur edhe Netën edhe Pandin, keq kam bërë. Vajta i ndava unë njerëzit e zakonshëm nga elita e bujqësisë, pastaj nxita mosbesim ndaj tyre, në fakt ata nuk i njeh kush aty ku janë fshehur.

Ngrita popullin e Bujqësisë nga kokëulur në fushëlartë, dy filmat e sotëm në facebook, duke ulur poshtë elitat filmbërëse të tregtarëve. Bëra dhe më shumë kur nxita mosbesim ndaj rregullave të lojës, më keq akoma e solla në pozitë konfliktuale që ndan bujqit nga një grup tregtaresh të bërë bashkë në një kartel.

Kaq keq kam bërë, tani do bëhem realist. Deputeti ka si qëllim votën e drejtë dhe pa lekë që pranon situatën dhe gjendjen, më mirë dhe të flasë në rrethanat e çështjes. Bujqësia po rritet normalisht, kjo nuk është normale është e jashtëzakonshme . Ne po rritemi dhe kjo nuk ka ndodhur më para, rritja ekonomike e Bujqësisë për tremujorin e parë na e konfirmoi këtë.

U rrit qiraja e tokës. Kostoja e plugimit. U rrit kostoja e ushqimit të bagëtive. Ne e kemi më të lehtë. Hëngrën edhe lopët njëherë. Nuk hëngrën. Kjo është populiste. Nuk është realiste. Lopët kundër elitës që i numëron prapë dhe i subvencionon. Numri është rritur.

Tani hanë më shumë dhe më shtrenjtë. Tani kanë edhe status. I zëvendësojnë në letra me qumësht pluhur dhe vaj palme. Por çfarë rëndësie ka lopët që janë shtuar. Po çmimet janë rritur pra dhe nuk është normale. Është e jashtëzakonshme. Tregtari po merr shumë. Madje dy tre herë më shumë se bujku. Pesë herë më shumë kur bujkut ia shtrin nën kosto. Bujku është populli. Pa çmim duhet ta lërë mallin. Çmimi bëhet me lekët kur t’i marrë te tregtari.

Paratë e bujkut i merr prodhues. I merr grumbulluesi. Me tokën e bujkut. Kjo është bujqësia që po vjen. Bujqësia e sipërmarrësve. Kjo nuk është normale. Është e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.