Një organizatë e fuqishme e trafikut ndërkombëtar të drogës, e lidhur me kartelin ekuadorian “Los Lobos”, është vënë në shënjestër të autoriteteve në kuadër të një hetimi të gjerë ndërkombëtar. Sipas një raporti të publikuar së fundmi, grupi kriminal kishte krijuar lidhje të drejtpërdrejta edhe me një rrjet shqiptar që operonte në zinxhirin e trafikut të lëndëve narkotike drejt Europës.
Dokumenti përshkruan një skemë të sofistikuar, ku droga fshihej në ngarkesa të ligjshme frutash të eksportuara nga Ekuadori. Për të maskuar aktivitetin kriminal, organizata shfrytëzonte kompani tregtare të regjistruara si eksportuese produktesh bujqësore.
Hetimet nisën pas identifikimit të disa kontejnerëve të dyshimtë, çka çoi në kontrolle të koordinuara dhe sekuestrime të konsiderueshme në porte të ndryshme europiane. Sipas raportit, rrjeti ekuadorian mbante kontakte të vazhdueshme me bashkëpunëtorët shqiptarë, të cilët udhëtonin rregullisht drejt Ekuadorit për të organizuar dhe negociuar dërgesat e drogës.
Pas mbërritjes së ngarkesave në Europë, rolin kryesor e merrnin qeliza kriminale të shpërndara në disa vende të Bashkimit Europian, të cilat kujdeseshin për transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në tregun europian.
Autoritetet e konsideronin drejtuesin e organizatës si një objektiv me prioritet të lartë, për shkak të rolit kyç që ai kishte në koordinimin e aktivitetit kriminal dhe lidhjeve ndërkombëtare të rrjetit.
