Monika Kryemadhi konfirmoi se LSI dhe PD nuk kanë më marrëdhënie, pavarësisht se të dyja janë në opozitë.

“Nuk kanë absolutisht fare rëndësi marrëdheniet e LSI me PD sot, duke pasur parasysh mjafton të shikojmë çfarë po ndodh, ku tangoja elektorale të ashtuquajturës opozitë më mazhorancën nuk po sjell gjë tjetër veçse po rrit borxhin e jashtëm të Shqipërisë dhe po e kalon në shifra ekstreme drejt falimentimit të shtetit dhe për të vazhduar më tutje me marrëveshje të cilat i mungojnë transparencës politike dhe parlamentare”, tha ajo.

Kryetarja e LSI-së foli gjatë një interviste të dhënë për Zërin e Amerikës.

“Sot jeta e shoqërisë shqiptare dhe aq më shumë politika shqiptare nuk artikulon absolutisht për gjëra që kanë lidhje shumë të rëndësishme më ekzistencën e popullit shqiptar dhe aq më shumë të të rinjve shqiptar duke pasur parasysh vetëm periudhat e fundit shpopullimi i familjeve shqiptare është i jashtëzakonshëm gjë që është e dhimbshme nëse një kombi do t’i largohet e gjithë rinia ai është i destinuar të vdesë”, vijoi Kryemadhi.