Shpërthen depozita e karburantit në Shijak, 4 orë panik te banorët
Nga frika e ndonjë shpërthimi në depozitat e karburantit, policia ka bërë evakuimin e banorëve të zonës
Për katër orë, zjarrfikësit dhe policia kanë luftuar me flakët, për parandalimin e ndonjë tragjedie
Vali Qyrfyçi
Banorët e zonës së ish-SMT-së në Shijak kanë përjetuar dje panik për orë të tëra për shkak të një zjarri me përmasa të mëdha, i cili ra pranë një blloku depozitash karburanti. Dy depozita të mbushura me karburant u përfshinë nga flakët, ndërsa në rrezik ishin edhe disa të tjera që ndodheshin në një perimetër të afërt me vatrën e zjarrit. Zjarri alarmoi për katër orë të gjithë zonën, ndërkohë që policia evakuoi banorët. Rreth orës 15:00, zjarrfikësit mundën të vënë nën kontroll flakët.
Fillimisht zjarri deklarohet të ketë rënë në një autobot dhe më pas flakët kanë përfshirë depozitën pranë të cilit ndodhej mjeti, duke e nxjerrë situatën jashtë kontrollit. Flakët kanë rrezikuar të përfshijnë dhe depozitën e dytë, afër me të parën, duke synuar krijimin e një reaksioni zinxhir me pasoja në një rreze të gjerë. Shërbime dhe mjete zjarrfikëse të Durrësit, portit detar dhe të tjera të ardhura nga Tirana e Kavaja janë përballur me flakët që përhapeshin me shpejtësi për shkak të lëndës djegëse, si dhe një ere të lehtë. Duke parë situatën e dalë jashtë kontrollit, policia ka ndërmarrë menjëherë një aksion për evakuimin e banorëve të zonës.
Densiteti i lartë i tymit dhe flakët mbi 10 metra kanë krijuar probleme asfiksie te disa nga forcat zjarrfikëse. Kjo ka vështirësuar luftën me flakët, ndërkohë që nga zjarrfikëset dhe policia lokale raportohet se nuk ka persona të dëmtuar nga zjarri. Sipas banorëve të zonës, shpërthimi i botit të karburantit u dëgjua rreth orës 11.00 të së shtunës, ndërsa zjarrfikësit mbërritën rreth 15-20 minuta më pas. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes punonjësit zjarrfikës e kanë vlerësuar maksimalisht situatën dhe kanë kërkuar ndihmë dhe nga kolegët e Tiranës, Kavajës dhe portit detar. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe autoambulancat, ndërkohë që grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit që mund të kishte qenë fatal.
Përmasat e ngjarjes dhe rrezikshmëria e lartë kanë nxjerrë në plan të dytë shkaqet e zjarrit, megjithatë paraprakisht mendohet se ai ka rënë si pasojë e mungesës së masave të sigurisë teknike gjatë veprimeve të përpunimit të karburantit. Një perimetër i gjerë sigurie u vendos nga forcat e policisë për të shmangur çdo rrezik për qytetarët, ndërkohë që banorët kanë ndihmuar për shuarjen e zjarrit me mundësitë e tyre, kryesisht ujë dhe gjineshtra. Banorët janë përqendruar veçanërisht në shuarjen e zjarrit që ka përfshirë kanalet kulluese që kalojnë përgjatë rrugës, duke krijuar lidhjen mes zonës në flakë dhe banesave disa dhjetëra metra më tutje. Vetëm disa orë pas rënies së zjarrit, efektivat kanë mundur të lokalizojnë flakët, ndërsa vatra të vogla zjarri ka pasur deri në orët e pasdites. Me gjithë dëmet e mëdha materiale për subjektin që ka në zotërim depozitat, zjarri nuk ka shkaktuar viktima në njerëz, ndërkohë që përhapi panik tek e gjithë zona, pasi mund të ishte kthyer në një ngjarje të rëndë.
Pas shuarjeve të flakëve, grupi hetimor, i përbërë me oficerë të policisë dhe zjarrfikës, kanë nisur punën për gjetjen e vatrës së zjarrit dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët okularë. Sipas policisë, në pyetje do të merren edhe personat që kanë qenë duke punuar në momentin e incidentit. Ndërkohë mësohet se nuk është vlerësuar ende dëmi i shkaktuar.