Fiks Fare publikoi mbrëmjen e së enjtes denoncime të shumta të fermerëve në disa qytete, që ankohen se pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të inputeve bujqësore, kanë rritur çmimet brenda një kohe të shkurtër.

Emisioni investigativ bëri një vëzhgim në zonën e Myzeqesë, në Lushnje dhe Divjakë, te fermerët që ankohen për çmimet e larta dhe te pikat e shitjes, që thonë se çmimi i inputeve (DAP, URE dhe NITRAT) është rritur artificialisht gjatë kohës së luftës në Iran.

Kamera e Fiksit shkoi në fushat e Tërbufit në Divjakë, në një nga zonat më pjellore për bujqësinë. Grupi i Fiks Fare bisedoi me një fermer, i cili ka mbjellë disa hektarë me grurë. Ai deklaron se çmimet e larta të inputeve bujqësore po i falimentojnë. “Kam mbjellë grurë, por po dalim me humbje. I kuintal me ure e blinim disa javë më parë me 5 mijë lekë kuintalin, tani ka shkuar në 6.5 mijë apo 7 mijë lekë. Rritet çdo ditë. DAP-in e merrnim me 7 mijë lekë, tani ka shkuar në 10 mijë lekë dhe nuk e gjen fare. Nitrati nga 4.5 mijë lekë kuintali, ka shkuar në mbi 6 mijë lekë. Thonë lufta andej, po ç’na duhet ne lufta se këta gjendje i kishin dhe i kanë rritur artificialisht. Shteti i di të gjitha po nuk vepron” thotë Fiqiri Sinani, nga fshati Tërbuf.

Ai shton se me këto çmime, shumë toka në gjithë zonën kanë mbetur djerrë. Disa i kanë vënë në shitje se s’dalin me fitime. “Kanë ikur, se as subvencione s’marrin. Na japin 10 litra karburant për 1 hektarë. Çdo bëjmë me aq? Po plugimi që tani do mbi 20 mijë të vjetra 1 dynymë. Shtoji frezimin, mbjelljen, korrjen e duart e plehrave” vijon Fiqiriu.

Në fushat e Tërbufit, gazetarët e Fiks Fare pikasin edhe një tabelë “shitet toka”. Gazetarët kontaktojnë në telefon me pronarin dhe thotë se po e nxjerr në shitje me 4 milionë lekë të vjetra 1 dynymë. E pyesin se përse po e shet, ai thotë se “për arsyet e mia”. Më pas, grupi i Fiks Fare shkon në tregun e Divjakës, ku takojnë disa fermerë, një që ka mbjellë presh dhe tjetrin me lakra. “S’po shkojnë, 200 lekë kilogrami preshit dhe s’pyet njeri. S’po e shes dot, kam pasur shumë shpenzime. Kush do t’m’i japë” thotë një fermer.

Ndërkohë, një tjetër shton se çmimi i 1 kg lakër është 50 deri në 70 lekë të vjetra. “As shpenzimet s’po marrim dot. Këta i kanë pasur në gjendje plehrat kimikë për tokën dhe tani i kanë rritur shumë. S’po marrim vesh gjë dhe shteti as nuk ndërhyn. Pse nuk e di shteti se kur kanë importuar për herë të fundit plehra ato firma” vijon një tjetër.

Fiks Fare shkoi në disa pika të shitjes me shumicë dhe pakicë të plehrave kimikë. Punonjësit e këtyre pikave ia hodhën fajin luftës në Iran, teksa thonë se çmimet do të rriten. Pikat e vogla të shitjes deklaruan se rritja ka ardhur në muajin mars 2026, ndërkohë që nuk dihet se sa do të zgjasë.

***

Vëzhgimi i Fiks Fare në pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të inputeve bujqësore në disa qytete të Shqipërisë

Pika 1

Fiksi – Desha me t’pyet për ure për çmimet?

Punonjësi – Çmimet? A ke pikë?

Fiksi – Kam andej nga Tërbufi, familjar.

Punonjësi – Këtu çmimet janë të pandryshueshme fare. Ka lëvizje drastike.

Fiksi – Drastike ë?

Punonjësi – Po.

Fiksi – Sa është ngrejt?

Punonjësi – Ureja është 70 tani.

Fiksi – 70 ureja?

Punonjësi – E, shtrenjtë.

Fiksi – Nga …

Punonjësi – 50 për hajër.

Fiksi – Ka qenë 47!

Punonjësi – Janë ngrejt.

Fiksi – Po superfosfati?

Punonjësi – Superfosfati 32.

Fiksi – Po nitrati?

Punonjësi – Mund të ketë shkuar 50, 50 e ca.

Fiksi – Po dapi e ato?

Punonjësi – S’e di dapin!

Fiksi – Po për çfarë na ka ndodhur kjo, prej luftës prej atyre budalliqeve?

Punonjësi – Unë them është ngrejtur karburanti …

Fiksi – Edhe na e kanë rras neve!

Punonjësi – Edhe ky mall diskutohet në bursë.

Fiksi – Në bursë?

Punonjësi – S’është mall kështu ky. këta punojnë në bursë, nuk funksionojnë të jap unë ty, më jep ti mua. Që do të thotë po u ngrejt bursa, ky i referohet bursës.

***

Pika 2

Fiksi – Sa e ke urenë, sa ka shkuar kuintali?

Punonjësi – 75.

Fiksi – Shumë ka shkuar! 75, po dapi?

Punonjësi – Nuk kemi fare.

Fiksi – Po nitrati?

Punonjësi – Nitrati i arës 80 kuintali.

Fiksi – 80, shumë!

Punonjësi – Sa na ka ardhur furnizimi i ri dhe çmimet …

Fiksi – Kanë ikur në stratosferë. Po kush i ka ngrejt, i ngrejti lufta, nafta ça kanë bërë kështu? Po me ça çmime reference dalin këta me bursë?

Punonjësi – Ku di gjë unë ça çmimi! Kemi 2 javë (që na thonë) s’ka sjellë tuniziani.

Fiksi – Tuniziani?

Punonjësi – Po. Gjasme mbaroi tuniziani, për 1 ditë mbaroi!

Fiksi – Po. Dhe 3 ditë luftë dhe e ngrejtën 80 … A ka bllokuar tuniziani?

Punonjësi – E kanë ngrejt këta tonët.

Fiksi – Ëë.

Punonjësi – Po është situatë shumë e vështirë.

***

Pika 3

Punonjësi – Ureja është 68.

Fiksi – Po nitrati e këto?

Punonjësi – Nitrati është 54.

Fiksi – Po superfosfati?

Punonjësi – 28.

Fiksi – Kam shkuar në nja 3-4 vende, janë rritur?

Punonjësi – Po.

Fiksi – Po s’kanë qenë kaq!

***

Pika 4

Fiksi – Sa është ureja?

Punonjësi – Sa do marrësh?

Fiksi – Është për nja, me e pyet në telefon pastaj.

Punonjësi – Ke greke, ke italiane, ke ruse.

Fiksi – Kush është më e mira, më të mirën dua.

Punonjësi – Ke italianen dhe më të shtrenjtën. Për çmim duhet me fol (me pronarët). Po s’më dhe sasi, s’të jap dot çmim.

Punonjësi 2 – Janë rritur të gjitha.

Fiksi – Po, kanë shkuar me 80 (ureja) a e kupton! Po sa e keni ju?

Punonjësi 2 – Me aq!

***

Pika 5

Punonjësi – Ureja ka shkuar me 68 (68 mijë lekë të vjetra 1 kuintal).

Fiksi – Sa?

Punonjësi – 68.

Fiksi – 68 ureja, po nitrati?

Punonjësi – Nitrati në mos gaboj është 56.

Fiksi – Po superfosfat ka?

Punonjësi – 28.

Fiksi – A janë rritur më duket mua, për çfarë arsye?

Punonjësi – S’di (ngre supet).

Fiksi – Nafta! Po me marr me shumicë a ma ul?

Punonjësi – Po shumicë është këtu!

Fiksi – Me shumicë 68?

Punonjësi – Po.

Fiksi – Po ka qenë 40 e ca …

Punonjësi – U rrit tashti. Tashti ka qenë 46, 47 po janë ngrejt tani.

Fiksi – Për çfarë arsye ka ndodhur kjo?

Punonjësi – Lufta!

Fiksi – Lufta ku mo burrë?

Punonjësi – Luftë atje …

Fiksi – Ku? Ç’ne luftë ne o burrë?

Punonjësi – Ne jetojmë me ekonominë, jo me luftën atje.

Fiksi – Atëherë e paskan ngrejtur këta oligarkët tanë?

Punonjësi – S’ka më!

Fiksi – S’ka ë, e kanë me të futme.

Punonjësi – Ti dhe po morre 15-20 kuintal, ti nën 66 nuk e merr.

Fiksi – Urenë?

Punonjësi – Po. Nitratin mund t’a marrësh me 55-56.

Top Channel