Zbardhet dëshmia e të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi, rrëfimi i të cilit ka rihapur hetimet dhe hedhur dritë mbi dy vrasjet e bujshme të disa viteve më parë të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut.


Në dëshminë e tij, të siguruar nga SHQIP, Reçi thotë se Lulzim Berisha i kishte shkuar tek kazinoja e tij duke i kërkuar vrasjen e Klodian Saliun. Marrëveshja ishte që Reçi duhet të ekzekutonte Klodian Saliun, ndërsa Lul Berisha në këmbim do vriste hasmin e Reçit.


I penduri i drejtësisë ka treguar me detaje sesi u organizua plani për vrasjen e Saliut në autostradën Durrës-Tiranë, ku i bënë edhe pritë në vitin 2005.



“Në fillim të shkurtit kam takuar në Tiranë Lul Berishën. Takimi u realizua ne vendin e quajtur stacioni i trenit ne Tirane, vend ku une kisha nje kazino timen. Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliu e kishte kundershtuar dhe kishin frike se mos i vriste.” Kam pasur lidhje shoqërore ne Lul Berishën, Indrit Taulla, Lenti (Plarent Dervishi).



Më pas ai ka dhënë detaje edhe për ekzekutimin e biznesmenit Vajdin Lamaj, për porositjen e minave nga Lul Berisha dhe marrjen e tyre në dorëzim nga Emiliano Shullazi.



“Berishën e kam njohur në 1994, ndërsa Plarent Dervishin dhe Indrit Taullain i kam njohur vonë sepse ishte njohje dhe miqësi e ngushtë e Lulëzim Berishës. Kujtoj se ka qenë muaji shkurt i vitit 2005, besoj nga mesi i muajit, më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha. Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët. Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje se më kishte treguar vetë dhe kishte mësuar nga unë se J… më kishte përgatitu minat për ngjarjen e Dibrës dhe për këtë arsye më kërkoi një minë për veten e tij. Për të përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im që quhet.,.. i cili është vrarë në vitin 2002”, shprehet Reçi.



Bombën me të cilën është kryer vrasja e Vajdin Lamajt, Reçi thotë se ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit. Pasi ka marrë vesh nga mediat se u vra Vajdin Lame me shpërthim, ka telefonuar Lul Berishën i cili i ka thënë se ishte në Turqi dhe kjo ishte punë e Indritit. 



“Bombën me telekomandë që përgatitem ia dorëzuam Emiljano Shullazit”, ka shtuar ai më tej, duke treguar kështu dhe bashkëpunimin mes Berishës dhe Shullazit në vrasjen e Vajdin Lamajt.



Dy atentatet e ndodhura 15 vite më parë u zbardhen dje nga SPAK, ndërsa autorë rezultojnë personazhe të njohur të botës së krimit.


Ngjarja më e bujshme ishte vrasja me tritol në ashensorin e pallatit ku banonte biznesmeni Vajdin Lame dhe të Artan Arsit, më 27 Shkurt 2005. Si organizatorë dhe ekzekutorë, SPAK akuzon Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën, Plarent Dervishin, Indrit Taullain, Viktor Ymerin, Luftar Reçin dhe Indrit Rusin.


Ndërsa ekzekutimi i Klodian Saliut, u bë teksa udhëtonte me makinë në autostradën Durrës – Tiranë në 26 Shkurt 2005, një ditë përpara vrasjes së Lamajt në Tiranë.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.