Dhjetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet kanë angazhuar qindra forca dhe mjete tokësore e ajrore për përballimin e situatës.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 11 orëve të fundit në operacione janë përfshirë 531 forca operacionale dhe 29 mjete, ndërsa nga ajri po ndërhyjnë 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Dajt, 22 efektivë të MZSH-së dhe ADZM-së po punojnë me mbështetjen e dy helikopterëve. Ndërkohë, në Priskë të Madhe janë angazhuar 15 efektivë dhe katër automjete zjarrfikëse, të mbështetura gjithashtu nga dy helikopterë. Sipas autoriteteve, në të dyja zonat nuk ka aktualisht rrezik për banesat.
Në Drenie të Patosit, operacioni po vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Në zonë është vendosur edhe një autoambulancë ushtarake.
Situatë e ngarkuar raportohet edhe në Krujë, ku ndërhyrja po zhvillohet në disa vatra. Në Abaze janë angazhuar forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë. Në lagjen Bojë, për shkak të terrenit të vështirë, po ndërhyhet me një helikopter, ndërsa tre automjete zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave. Operacioni vijon edhe në zonën Krastë–Halil, ku aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Një tjetër operacion i rëndësishëm po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar zjarrfikës, Policia, struktura bashkiake, shërbimi pyjor, vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Nga ajri po ndërhyjnë dy avionë “Air Tractor”, ndërsa forcat janë pozicionuar pranë zonave të banuara që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Zjarret vijojnë edhe në Nëmerçkë dhe Dhëmbel të Përmetit, ku terreni i vështirë malor po pengon ndërhyrjen. Për momentin nuk raportohet rrezik për banesat.
Në malin e Moravës në Devoll, forcat po punojnë në një zonë të mbrojtur me pyll pishe, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin dhe koordinimin e operacioneve me strukturat qendrore dhe vendore. Ndërhyrjet do të vijojnë deri në izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të të gjitha vatrave aktive.
