Zjarri që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme të masivit pyjor në fshatin Lugaxhi, në Labinot Mal të Elbasanit, është vënë nën kontroll pas disa orësh ndërhyrje intensive.

Flakët rrezikuan edhe disa banesa pranë zonës së përfshirë nga zjarri, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të tjera të angazhuara në terren bëri të mundur izolimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme.

Operacioni u zhvillua në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer, i cili nuk lejonte afrimin e mjeteve të rënda. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e ndërhyrjes u krye në këmbë.

Në operacion u angazhuan 2 mjete zjarrfikëse me kapacitet 3 tonë secili dhe 18 efektivë zjarrfikës, të cilët përdorën edhe pompa shpine për të ndërhyrë në zonat e paarritshme për automjetet. Në terren morën pjesë gjithashtu 25 punonjës të ASHP-së.

Pas neutralizimit të rrezikut kryesor, ekipet vijuan kontrollet në zonë për evidentimin dhe shuarjen e çdo vatre të mbetur, me qëllim parandalimin e riaktivizimit të zjarrit.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe thatësirës, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në zonat pyjore dhe sipërfaqet me bimësi të thatë.