Arabi
Dhjetëra militantë raportohen të vrarë nga ushtria e Jemenit në malet në jug të vendit
Ushtria e Jemenit deklaroi se ka vrarë së paku 37 militantë të “Al Kaedës” në jug të vendit dje, ndërsa ka intensifikuar një ofensivë për të shkatërruar luftëtarët vendës e të huaj që kanë krijuar baza në zonat më të thella të vendit.
Raporti nga agjencia shtetërore e lajmeve “Saba” erdhi pak pasi një burim ushtarak i tha “Reuters” për një atentat vetëvrasës që shkaktoi vdekjen e gjashtë ushtarëve në një bazë të ushtrisë në zonën e luftimeve. Edhe 20 ushtarë të tjerë qenë plagosur.
“Al Kaeda” në Gadishullin Arabik, (AQAP) siç njihet ky grupim në zonë, është aktualisht dega më aktive e rrjetit terrorist në botë. Vendet perëndimore kanë frikë se Jemeni mund të destabilizohet me rebelime separatiste në Jug dhe Veri, gjë që mund të krijojë më shumë hapësirë për rrjetin e terrorit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përdorur avionë pa pilot për të shënjestruar dhe për të vrarë udhëheqësit e grupimit. Në prill, sulmet ajrore, të cilat dyshohet se janë kryer nga avionët amerikanë, raportohet se vranë 65 militantë.
Ushtria e Jemenit thotë se shumica e militantëve të vrarë dje ishin sauditë, afganë, somalezë, çeçenë si dhe militantë vendës.
AQAP dhe aleati i vet vendas Ansar al-Sharia kanë filluar një kryengritje tre vjet më parë në jug të Jemenit duke luftuar trupat qeveritare dhe milicitë tribale vendëse.
Qindra njerëz javë vrarë në bombardime dhe sulme të tjera të “Al Kaedës” kundër qeverisë dhe ushtrisë së Jemenit.