Politikanët e suksesshëm kudo në botë janë çmuar dhe vijojnë e rrisin kuotat nëse ata janë konsistentë në qëndrimet e tyre, kur i qëndrojnë kauzave që përfaqësojnë, qofshin edhe kauza që ndajnë, apo jo të dobishme.
Në vitet e fundit po votohen gjithnjë e më shumë politikanët populistë në SHBA, Europë dhe më gjerë, me qëndrimet e tyre ekstreme por që mbrojnë fort ato qëndrime. Nigel Farage, që nuk fiton zgjedhjet për Parlamentin e Britanisë u kthye në njeriun e Britanisë së Madhe kur udhëhoqi fushatën e BREX-it dhe ndikoi që britanikët të votojnë daljen nga BE.
Një politikan i ri shqiptar në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, është njeriu i momentit në vendin e tij pasi udhëhoqëi zgjedhjet për të rrezuar Milo Gjukanoviçin nga pushteti. Edhe pse u miklua dhe ju kërkua që të bëhej kryeministër duke përdorur votat e partisë së Gjukanoviçit, ai nuk pranoi dhe u bashkua me opozitën, pasi për atë e kishin votuar qytetarët.
Tek ne politikanët janë si pelivanë, që për 30 vjet nuk kanë pasur asnjëherë një kauzë të tyre konsistente, por kanë bredhur lule më lule, parti më parti, koalicion më koalicion vetëm për të ruajtur karriken.
E kjo vihet re për fat të keq që nga gjenrata e vjetër deri ajo e re e politikanëve.
Një shembull më i freskët i kësaj logjike është ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri, e cila hyri rishtas në PD në vitin 2017. E prezantuar si sociologe dhe profesore e shkencave sociale, ajo megjithatë është e njohur më shumë për deklaratat e gjëmshme ku ka shpallur njerëz të vdekur gjatë protestave opozitare, por që nuk kanë ndodhur.
Së fundmi, Pampuri, doli të akuzojë mazhorancën se ka hequr disa fasha sociale nga përfitimi i banesave sociale, duke i zëvendësuar me të tjera dhe ka dalë në pozicion homofob duke përmendur komunitetin LGBTQI.
Ka politikanë në botë dhe europë që edhe marrin pozicione të tilla homofobe e janë përgjithësisht ata populistët që i përmendën më sipër, por zonja Pampuri, në të shkuarën, edhe si sociologe ka qenë për një integrim të shtresave dhe kundët diskriminimit të njerëzve nga raca, etnia, gjuha dhe orientimi seksual.
Në mars të vitit 2017, zonja Pampuri, ka kritikuar madje edhe tekstet shkollorë që kur flisnin për martesën e trajtonin atë mes burrit dhe gruas.
“Nuk ka vetëm një martesë. Nuk është vetëm mes burrit dhe gruas, pasi mund të jetë mes dy meshkujve apo mes dy femrave, pra është koncept më i gjërë nga çe kanë menduar. Dhe këtë duhet ta mësojnë edhe fëmijët tanë”, thoshte Pampuri në deklaratën e 2017, ku kërkonte vendosjen e martesave gay në testet shkollore.
Kurse sot ajo ka dalë me një qëndrim krejt tjetër, pasi kërkon që të prekë në tela njërën palë, atë që sipas saj nuk është trajtuar siç duhet nga ligji në fjalë dhe diskriminon palën tjetër.
E kjo mos konsistencë është pikërisht një vlerë që politikës i humb thelbin, atunë e kauzës, fuqinë e arsyes dhe betejën për të vijuar një gjë që beson apo je angazhuar që ta realizosh.
E pikërisht ky model që ofron Oriola Pampuri është pikërisht një deputete që nuk duhet të jetë në Parlament. Pasi siç ndryshoi mendim për çështjen e orientimit seksual, mund të ndryshojë edhe në politikë, në bazë të interesit të momentit.
Kështu do të devijojnë edhe për ligjet që do të hartojnë në Kuvend dhe që bien mbi njerëzit e thjeshtë. Është si atëherë kur shumë deputetë votuan kundër importit të mbetjeve dhe më pas votuan pro tyre. Një herë votuan për ndalimin e kazinove, e më pas pas lobimit të një grupi interesi e ndryshuan mendimin e qëndrimin.
E pikërisht këta janë deputetët që nuk i duhen Parlamentit shqiptar; pasi politikani “llastik” që ndryshon formën sipas dëshirave të shefit, ka rezultuar se është gabimi më i madh në politikën shqiptare; që nuk e ka lënë të ecë përpara….
Gazeta Shqip