luizaDy ditët e 26-vjeçarit në polici, dëshmia dhe provat


Mariglen Mullai


Motra dhe halla e Kostandin Xhuvanit ishin dy personat që shkuan për ta takuar këto ditë që ai ndodhej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Me akuzën e vrasjes së katërfishtë, sot 26-vjeçari do të zhvendoset në ambientet e 313-s, paraburgimit të sigurisë së lartë, teksa Gjykata e Tiranës pritet të japë masën e sigurisë “arrest me burg” për të. Të gjitha provat dhe dëshmitë flasin kundër dëshmisë së Xhuvanit, i cili pretendonte se po blinte duhan, kur ndodhën vrasjet, por ekspertizat dhe dëshmitarët faktojnë autorësinë e tij në këtë masakër.


 


Luiza “braktis” djalin


Burimet policore thanë për gazetën “Shqip” se as nëna dhe as babai i autorit të dyshuar të vrasjes së Arbër Demirajt, Edison Jahos, Enea Xhajt dhe Paolo Azolës, nuk kanë preferuar të paraqiten pranë Policisë së Tiranës, për të takuar të birin. Këtë boshllëk familjar e ka mbushur Sara, motra e Kostandinit, e cila bashkë me hallën, u ndodhën pranë të riut, në këto çaste të vështira për të. I ndodhur në një situatë të rëndë, Xhuvani mësohet se kishte pritur që prindërit të ishin prezentë, por gjithsesi është shprehur se i mirëkuptonte për çdo vendimmarrje të tyre. Kësisoj, ish-deputetja e Partisë Socialiste të Sarandës dhe regjisori i njohur, duket sikur paraprakisht e kanë “braktisur” djalin, duke ia lënë drejtësisë të vendosë për fatin e tij. Në daljen e saj publike, kur la mandatin e deputetes, Luiza Xhuvani u shpreh mes të tjerave se “Edhe unë, edhe Gjergji, përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy, njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit, prindër që si çdo prind, dëshiron më të mirën për fëmijën e vet, por me sa duket paskemi qenë të pafat në këtë drejtim. Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është tragjike, por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë nëna e tij, ushtroj”. Motra dhe halla, përveç bisedave familjare, mësohet se i kanë lënë disa ushqime, duhan dhe veshmbathje.


 


Dëshmia mohuese


Gjatë ditëve të qëndrimit në ambientet e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Kostandin Xhuvani, ka tentuar të krijojë një alibi, aspak bindëse dhe krejt të pajustifikuar. Në pritje të analizave toksikologjike, teksa paraprakisht të gjitha dyshimet janë se ndodhej nën efektin e narkotikëve dhe pijeve alkoolike, grupi hetimor e ka ballafaquar menjëherë 26-vjeçarin me të gjitha provat, prej të cilave nuk kishte asnjë rrugë shpëtimi. Asnjë shitës duhani, në zonën e “Bërrylit”, qoftë edhe ndonjë dyqan apo lokal 24-orësh, nuk ia ka konfirmuar blerjen e cigareve në orën 4 të mëngjesit, kamerat e bizneseve dhe ajo e Rrugës së Elbasanit e ka fiksuar kur hyn një herë të vetme dhe del pas masakrës, baruti në dorë, shenjat e gishtave në armë, qitjet e pistoletës konfirmojnë një autor dhe mbi 10 dëshmi (stafi i lokalit, klientë, miqtë e tij dhe policë) e fajësojnë gjithashtu. Prania e avokatit dhe këshillimi për të mos folur më, duket se e kanë bindur Xhuvanin të heshtë, nga tani e tutje, në pritje të zhvillimit të seancave gjyqësore. 


Vrasjet


Mëngjesi i së martës e gjeti Tiranën me 4 të vrarë, ku në lokalin e natës “Ante Grand”, 6 persona u përfshinë në sherrin që nisi për drogën. Arbër Demiraj, Kostandin Xhuvani, Erald Sida dhe Albano Bllacaj ishin ulur në një tavolinë, kur nisën përplasjet me tavolinën tjetër, ku ndodhej Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Më parë mes tavolinave u shkëmbyen pije si shveps, xhin dhe birra. Pas grindjes jo të zhurmshme, Xhuvani dhe Demiraj dolën jashtë, ku morën pistoletën, teksa Kostandini hap derën dhe qëllon në dalje Jahon. Plumbi tejshpues në zemër vret edhe Enean, të cilët qëllohen edhe në kokë. Nga plumbat rikoshet mbetën të vrarë edhe Arbër Demiraj, djali i prokurorit Skënder Demiraj dhe shtetasi italian, Paolo Azzola. E gjithë skena është rrëfyer nga dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes.


 


Bashkëshorti i Majës


Shuaipi: Ishim rastësisht në mes të masakrës


“Sherri mes dy grupeve të të rinjve ka marrë një kthesë për keq. Kështu që unë dhe Paolo vendosëm të largoheshim. Azola kishte çelësat e makinave në dorë, unë lëviza për momentin për të shkuar në tualet. Kur kam dëgjuar të shtëna, unë nxitova të kërkoja mikun tim. Në këtë masakër u përfshi edhe ai, ku u godit nga një plumb në zemër”. Kjo ishte dëshmia e Arben Shuaipit, bashkëshortit të këngëtares Maja, i cili jetoi për disa kohë në Itali, ku kishte filluar një biznes në industrinë e ndërtimit. Ai e kishte takuar Paolo Azolën para dy vitesh dhe kishin lëvizur përgjithmonë në Shqipëri, për të hapur biznes. Të hënën në mbrëmje, ata ishin në ambientin që frekuentonin shpesh, ku luhej muzikë live. “Rastësisht e kemi gjetur veten në mes të masakrës. Ne ishim duke pirë për qejfin tonë dhe nuk kishim lidhje me këtë ngjarje”, mësohet se ka thënë Shuaipi.


Psikiatriku


Drejtori i spitalit: Kostandini qëndroi një orë, më pas u largua


Në 25 prill në orën 17:00 Kostandin Xhuvani ka marrë mjekim në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Ky fakt i përdorur si alibi nga avokati i tij e ka shpëtuar atë nga arrestimi, pasi u akuzua për një konflikt me armë në Gjirokastër. Drejtori i spitalit, Sadik Dinçi, i kontaktuar një ditë pas deklaratës së policisë, ka konfirmuar faktin se Konstandin Xhuvani është paraqitur në 25 prill të këtij viti dhe ka marrë ndihmë mjekësore, pasi ishte në gjendje të dehur. Një muaj më vonë Drejtoria e Spitalit i ka kthyer përgjigje dhomës së Avokatisë dhe konkretisht avokatit të shtetasit Kostandin Xhuvani. Ndërkohë, një oficer i policisë gjyqësore ka bërë edhe këqyrjen e regjistrit të konsultave në urgjencën e spitalit psikiatrik ku edhe është përshkruar paraqitja e Kostandin Xhuvanit, mjekimi, si dhe largimi i tij. Vetë mjeku që ka pritur atë ditë Kostandin Xhuvanin, Erjon Sula ka deklaruar se nuk ka asgjë për të thënë dhe mbështet deklaratën e titullarit të institucionit. I pyetur mbi faktin nëse personat me intoksikacion apo dehje priten në këtë spital, drejtori është përgjigjur se ka raste të tilla sidomos kur shoqërohen me dhunë dhe acarime të personit dhe për t’i stabilizuar detyrohen t’i sjellin pranë urgjencës së këtij spitali ku edhe mund të shtrohen.