Në fshatin Kafaraj të Fierit, i njohur për kultivimin e luleshtrydhes, është kulmi i sezonit.
Mondi Hamataj, prej 14 vitesh merret me këtë kulturë. Ai sapo ka vjelë prodhimin dhe e ka dorëzuar në pikat e grumbullimit.
Por, njëjtë si të gjithë fermerët e tjerë të zonës, ai ecën symbyllurazi, pasi ky sektor noton në informalitet. Asnjë nga fermerët nuk ka kontratë me grumbulluesit. Ata nuk e dinë se çfarë çmimi do të marrin për produktet e tyre, nuk ka asnjë garanci që puna dhe mundi i tyre do të përkthehet në të ardhura. Pra, atyre u imponohen çmime kartel për djersën e tyre.
“Pyetja më e sikletshme sot është ta pyesësh një fermer me sa e shite sot? ne e çojmë pa çmim, sepse kështu është bërë loja që në fillim dhe presim që kur ta shesin, të heqin ata një fitim dhe çfarë do ngelë për ne, e marrim vesh pas një jave. ka 12 vite që funksionon kështu. vetëm numëron arkat dhe kur të bëhen lekët ujem, atëherë pas dy javësh…”, u shpreh fermeri Mondi Hamataj.
Tregu i grumbulluesve jo vetëm funksion pa faturë dhe në informalitet, por në shumë raste nuk ua japin për vite të tëra lekët e produkteve që kanë dorëzuar.
“Është shumë e vështirë dhe nuk ia uroj askujt nga ata të rinjtë që tha mos u tim se do ta hash, unë ka m 5 vite që kam shitur lakrën dhe ende nuk kam marrë lekët…tek Doni Fruit, kam 2.3 mln lekë me fatura me kontratë marrëveshje dhe akoma s’mi ka dhënë lekët”, u shpreh fermeri Mondi Hamataj.
Këtë arkë me luleshtrydhe, Mondi thotë se gjatë ditës që vizitoi Inside Story në fillim të prillit, e shiti në pikën e grumbullimit me 500 lekë. Kjo arkë ka mesatarisht 10 kuti, e cila gjatë së njëjtës kohë shitej në tezga me një çmim prej 150-200 lekë, në total 2 mijë lekë.
Pra, fermeri, merr vetëm ¼ e çmimit ku përfshihen kostot e prodhimit dhe fitimi. Ndërkohë, ¾ e çmimit ndahet mes grumbulluesit, tregtarit të shumicës dhe tregtarit të pakicës që nuk kanë kostot e fermerit.
“Të rriten subvencionet të paktën për këtë lloj fruti, 5 mln për një dynym serë e ti më jep 200 mijë lekë. po 5 vite që jam përmbytur? Këtu janë 40 fermerë që kanë hequr dorë nga luleshtrydhja, kanë rënë në borxh se kanë marrë kredi dhe tani po punojnë në Greqi për të larë këtë kredinë”, u shpreh fermeri Mondi Hamata.
“Kërkojmë që këtu të ketë bursë të shitjes së prodhimit, të zbatohet nga qeveria bursa. Jo të vendosi grumbulluesi, por të vendosi bursa e rregullt për të paguar. Kemi fermer që ka 400 dele. dhe qumështin nuk ka ku ta dorëzojë dhe detyrohet që qumështin ta pinë qingjat”, u shpreh agronomi Hazis Sava.
Vetëm në këtë zonë janë rreth 1000 dynymë të mbjella me luleshtrydhe. Për shkak të fuqisë së ulët blerëse, rreth 70% e prodhimit shkon për eksport dhe vetëm një pjesë e vogël mbetet në tregun vendas. Kjo bën që pikat e shitjes në Shqipëri të mbyten nga prodhimi i importit, edhe pse luleshtrydhja e kultivuar në Shqipëri është më e mira.
“Kemi dalë në konkluzionin se kemi mbjellë frutin e gabuar në vendin e gabuar sepse ky është frut luksi . Ka kosto për ta prodhuar i del kosto 800-100 lekë në momentin kur e këput, ne hedhim 5 mln për ta marrë 2 milion. Do pyes dikush nëse nuk të del pse ke shtuar sipërfaqen? E kam shtuar sepse nuk më del dhe duke shtuar sipërfaqen të ngelë edhe diçka për ne e të justifikojmë punë”, tha fermeri Mondi Hamataj.
