Një vlerësim i ri gjithëpërfshirës mbi gjendjen hidromorfologjike të lumenjve në Ballkan ka zbuluar një përkeqësim dramatik dhe me ritme të përshpejtuara të ujërave të njohura për natyrën e tyre të paprekur.
Raporti “Statusi Hidromorfologjik i Lumenjve të Ballkanit 2025”, i hartuar nga Dr. Ulrich Schwarz i Fluvius Vienna në kuadër të fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Europës”, ka analizuar 83,824 km lumenj në 11 vende. Ky raport tregon se përqindja e lumenjve pothuajse natyrorë ka rënë nga 30% në vitin 2012 në vetëm 23% në vitin 2025, ose rreth 2,450 km lumenjsh, ndërkohë që shtrirjet e lumenjve të modifikuar rëndë janë rritur.
Ballkani në tërësi: një tendencë rënëse
Studimi evidenton një model shqetësues në nivel rajonal:
- Gjendja e lumenjve në të gjithë Ballkanin ka rënë vazhdimisht që nga viti 2012.
- Lumenjtë e mëdhenj mbeten më të prekurit, për shkak të digave, kanalizimit dhe ndërprerjes së sedimenteve.
- Që nga viti 2012, impiantet e grumbullimit të ujit (impoundments) janë rritur me 18% (nga 2,224 në 2,626 km lumenjsh).
- Përrenjtë e vegjël malorë janë përgjithësisht në gjendje më të mirë, por presionet po përhapen edhe atje.
- Zhvillimi i hidroenergjisë mbetet shkaktari kryesor i degradimit; presione të tjera përfshijnë marrjen e ujit, nxjerrjen e sedimenteve dhe ndërtimin e infrastrukturës.
- Përpjekjet për ruajtje kanë arritur të mbrojnë rreth 900 km lumenj, kryesisht duke ndaluar projektet e hidrocentraleve.
Nga lumenjtë e mëdhenj të vlerësuar, vetëm 23% mbeten pothuajse natyrorë, ndërsa 43% shfaqin modifikime të lehta. Lumenjtë e modifikuar nga mesatarisht deri në mënyrë të gjerë përbëjnë 27%, ndërsa shtrirjet e modifikuara rëndë, kryesisht impoundments, përbëjnë 7% të rrjetit. Ndryshimet më të mëdha janë regjistruar në basenet e Drinës, Neretvës, Vardarit/Axios, Devollit dhe Drinit. Megjithëse kjo rënie është alarmante, përqindja e lumenjve pothuajse natyrorë dhe lehtësisht të modifikuar mbetet dukshëm më e lartë se në pjesën tjetër të Europës, duke nënvizuar statusin unik të Ballkanit si bastioni i fundit i madh i lumenjve të egër në kontinent.
“Tendencat afatgjata të dokumentuara në këtë studim tregojnë një tkurrje të shtrirjeve pothuajse natyrore të lumenjve në Ballkan, të krijuara kryesisht nga barrierat dhe ndërhyrjet e mëdha në lumenj. Edhe pse rajoni ruan ende një pjesë relativisht të lartë të lumenjve të paprekur, këto prirje tregojnë një hendek gjithnjë e më të madh mes praktikave aktuale të zhvillimit dhe standardeve mjedisore të kërkuara nga procesi i anëtarësimit në BE dhe parimet e menaxhimit të qëndrueshëm të lumenjve,” – tha Dr. Ulrich Schwarz.
Shqipëria: vendi me degradimin më të madh të lumenjve në Ballkan
Studimi evidenton se asnjë vend tjetër i Ballkanit nuk ka humbur aq shumë shtrirje lumenjsh pothuajse natyrorë ose pak të modifikuar në dekadën e fundit sa Shqipëria. Zhvillimi i hidrocentraleve, modifikimi i pakontrolluar i lumenjve, marrja e ujit dhe ndryshimet e gjera në zonat e përmbytjes kanë transformuar peizazhet lumore të vendit me një shpejtësi të paprecedentë.
“Ndërsa Shqipëria ka mbrojtur me sukses lumin Vjosa dhe disa prej degëve të saj, të tjera degë lumenjsh janë degraduar gjatë dekadës së fundit sesa në çdo vend tjetër të Ballkanit. Këto gjetje duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi për qeverinë shqiptare që të mbrojë lumenjtë në mbarë vendin, jo vetëm në një basen të vetëm, veçanërisht duke pasur parasysh aspiratat e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, – u shpreh Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch.
Përpjekjet për ruajtjen e mjedisit japin shpresë
Raporti thekson se përpjekjet e fundit për ruajtje kanë mbrojtur me sukses rreth 900 km lumenj, përmes ndalimit të projekteve hidroenergjetike, shpalljes së zonave të reja të mbrojtura dhe miratimit të politikave që ndalojnë hidrocentralet e vegjël. Shpallja e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa mbetet arritja më e rëndësishme e ruajtjes në rajon.
“Ndërsa lumenjtë e këtij rajoni vazhdojnë të humbasin karakterin e tyre natyror, dritarja për mbrojtje të mirëfilltë po mbyllet me shpejtësi. Ballkani ende mban disa nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, por mbrojtja e tyre tani kërkon guxim politik, vendimmarrje të bazuar në shkencë dhe një ndryshim të qartë larg praktikave shkatërruese. Të dhënat tregojnë qartë se çfarë po humbet dhe çfarë do të humbasim nëse nuk veprojmë” – tha Annette Spangenberg, Drejtuese e Programit për Ujërat e Ëmbla në EuroNatur.




