Për të pestën herë në disa zona bujqësore, në Lushnjë dalja e lumit nga shtrati ka shkaktuar përmbytje të mëdha.

Vetëm në zonën e Zhelizhanit në Lushnjë mbi 300 ha fruta dhe ullishte kanë dy muaj që qëndrojnë në ujë.

Sipas fermerëve dëmin ja u bën shkarkimi i hidrocentralit të Banjës.

I gjithë investimi i 15 viteve të fundit në ketë zonë për fermerët është në kultivimin e frutave.

Të rinjtë u kthyen nga emigrimi për t’iu përkushtuar pemtarisë, por në këtë situatë ata ndihen të dëshpëruar.

Nëse uji nuk tërhiqet shpejt, rrezikojnë t’i humbasin plotësisht pemët.

Ndërkohë, fermerët paralajmërojnë se nëse situata përsëritet edhe në ditët në vijim, dëmet ekonomike do të jenë të konsiderueshme, duke rënduar më tej gjendjen financiare të familjeve që jetojnë me bujqësi.