Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ambientet e jashtme të gjykatës së Lushnjes ku një ish -efektiv i policisë është rrahur për vdekje. Paraprakisht mësohet se viktima është Arben Sopjani, 45 vjeç, dhe ngjarja ka ndodhur pak minuta pasi ai ka dalë nga një seancë gjyqësore për një çështje pronësie që kishte me autorët e ngjarjes.
Pas daljes nga gjykata ai është përballur me Fatbardh dhe Alush Rustamin dhe mes tyre ka nisur një debat, i cili ka degjeneruar në konfrontime fizike. Sopjani ka marrë plagë të rënda dhe megjithë ndihmën e parë që i është dhënë, nuk ka mundur të mbijetojë. Policia ka arrestuar Fatbardh dhe Alush Rustami, të cilët do të akuzohen për rrahjen për vdekje të 45-vjeçarit.
Dyshohet se konflikti mes dy familjeve Rustami dhe Sopjani e ka zanafillën që në vitin 1999 ku pas një konflikti ka mbetur i paralizuar një pjesëtar i familjes Rustami. Konflikti mendohet se ka nisur vite më parë ndërmjet këtyre dy fiseve për shkak të problemeve të pronësisë se një linjë përpunimi të inerteve në lumin Shkumbin. Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motiveve që i morrën jetën 45-vjeçarit.
10 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)