Kryeministri Edi Rama ka sqaruar në rubrikën e tij “Sy m’sy”, në Facebook, një pyetje të një ndjekësi, i cili i tha nëse kishte marrë leje për ta publikuar foton e familjes nga diaspora që kishte marrë zarfin e votimit.

Rama iu përgjigj se sigurisht kishte marrë leje nga familja për ta publikuar foton, dhe shtoi se ajo i kishte mbërritur në telefonin e tij nga vetë kryefamiljari.

“Foto më erdhi në telefon dhe natyrisht që mora leje nga familja për ta publikuar. Me shumë kënaqësi, kryefamiljari që ma nisi më tha: ‘Mund ta bëni si të doni dhe ta përdorni si të doni foton’.

Besoj se disa gjëra i di edhe unë, por ajo që ka rëndësi është që tani jemi në fazën e realizimit të një angazhimi të hershëm që kam marrë para jush për të mundësuar votën e emigrantëve, votën e shqiptarëve të Evropës dhe të botës. Dhe realizimi po ndodh tani. Zarfi i KQZ po shpërndahet kudo, dhe sa kam parë, procedura është e thjeshtë dhe standarde,” – tha Rama.