Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka depozituar një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke e akuzuar për shpifje dhe cenim të reputacionit të tij.
Në kërkesë-padi, Basha kërkon që Balla të detyrohet të përgënjeshtrojë publikisht deklaratat e bëra nga foltorja e Kuvendit, duke kërkuar gjithashtu që vendimi i Gjykatës të publikohet me shpenzimet e të paditurit në televizionet private me licencë kombëtare në Shqipëri.
Shkak për padinë janë bërë deklaratat e Taulant Ballës gjatë një seance parlamentare, ku ai iu drejtua deputetit Agron Shehaj duke pretenduar se ky i fundit kishte paguar 500 mijë euro për të siguruar përfshirjen në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.
“I padituri Taulant Balla, në ditën e dëshmisë nga foltorja e parlamentit ka deklaruar se: Sipas ty në atë parti të futi Luli dhe kjo shifra 500 që thua për shtëpinë time, tre herë më të vogël, ty të ka ngelur nga Luli. O Agron, ma ka thënë Luli, ‘Agron Shehajn e futa në listë për deputet se më dha 500 mijë euro, dhe ti ke ardhur në politikë duke blerë mandatin. Ti hyre me para, bleve vendin me para. Dil e thuaj që nuk ia ke paguar Lulzim Bashës.
Duket qartë që i padituri ka bërë deklarime të pavërteta, mashtrimet publike dhe shpifëse janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme të z. Lulzim Basha. I padituri duke dashur të sulmoje një deputet të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, shpif dhe mashtron në mënyrë që të përfitojë kredo politike duke mos përdorur asnjë argument politik por vetëm deklarime mashtruese që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën.
Ky deklarim është bërë në foltoren e parlamentit dhe është trasmetuar gjerësisht në pothuajse të gjitha mediat audio-vizive dhe ato elektronike të cilat do i bashkëngjidhim si prova së bashku me kërkesë padinë, është krejtësisht i pavërtetë dhe i pabazuar në prova.
3. Në lidhje me sa më sipër, deklarimi publik mashtrues i kësaj natyre është kryer në mënyrë të qëllimshme për të ulur reputacionin e tij dhe për t’i shkaktuar dëm në reputacion kapacitetit dhe për rrjedhojë. Qëllimi i shpifjeve është që të ndikojnë në perceptimin e publikut se paditësi Lulzim Basha, duke përfituar nga pozita e tij si ish Kryetar i Partisë Demokratike ka kryer aktivitet të paligjshëm sa i përket procedurave të përzgjedhjes së deputetëve të Partisë Demokratike duke përfituar shuma financiare në lidhje me promovimin e aktorëve politik të ndryshëm brenda PD-së. Faktet e pavërteta janë deklaruar nëpërmjet shpifjes çka ka sjellë edhe reagimin e paditësit për të detyruar të paditurin për përgënjeshtrimin dhe shpërblimin demi me anë të kësaj padie.
Nëpërmjet deklaratës së sipërcituar, i padituri i ka shkaktuar paditësit një dëm jopasuror, duke njollosur publikisht emrin dhe personalitetin e tij. Dëmi jopasuror që i është shkaktuar paditësit Lulzim Basha, është kryer me dashje që i padituri dhe partia politike që ai përfaqëson të përfitojnë kredo politike dhe me qëllim për të njollosur emrin dhe personalitetin e paditësit. Deklaratat publike të kryera prej të paditurit kanë përmbajtje të rreme pasi ka shpifur sa i përket përfshirjes së paditësit ne veprimtari që në vetvete përbëjnë dhe vepër penale. Deklaratat e kryera nga i padituri në drejtim të paditësit janë të pavërteta dhe kanë patur si qëllim cenimin e nderit dhe të dinjitetit të tij. Deklarata të tilla përbëjnë akuza të forta në drejtim të paditësit dhe që nuk janë shoqëruar me fakte, të cilat ashtu si deklarimet duhet të tregohen nëpërmjet të njëjtave mjeteve që u përhapën akuzat, publikut të gjerë. Për rrjedhojë ato përbëjnë shpifje publike për paditësin duke e cenuar atë në nderin dhe personalitetin e mirë që gëzon si sipërmarrës në vend. Në rast se i padituri do të kishte prova apo fakte të kësaj natyre do të duhet që ti adresonte ato me anë të kallëzimit penal dhe jo të shpifte dhe të mashtronte nga foltorja e parlamentit.
Deklarimet publike, përveçse janë të pavërteta, por arrijnë deri në kufijtë e kallëzimit të rremë për të paditurin pasi nëpërmjet këtyre deklaratave të pavërteta ai ka krijuar prova të rreme me qëllim që ndaj paditësit të iniciohet ndjekje penale për një sërë veprash që janë “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” apo “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike””, thuhet në dokument.
Top Channel
