Pedagogia Ilirjana Kuçana, njëkohësisht anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e ftuar në Breaking në Top News foli për aksidentin e rëndë që i mori jetën 2 të miturve në Durrës.

Ajo tregoi për takimin që pati me familjarët pas aksidentit.

“Të gjithë sot jemi me dhimbjen e familjes, një rast që është përsëritur, jam më sensibël se dicka e tillë më ka ndodhur dhe në familje. Do jem pranë tyre, kam qenë dhe te spitali dhe do jem në krah të secilit që ka nevojë.

Nuk dua ta ngjyros politikisht këtë gjë, unë kam humbur mbesën për shkak të mungesës së përgjegjësisë së shtetit. Këtë më tha dhe gjyshja e 8-vjeçarit që ndërroi jetë, më tha ma mori shteti, nuk ma mori ai i dehuri, ai kishte fytyrën e të fortit të lagjes.

Ai ishte rast i përsëritur 5 herë në atë rrugë. Një nga prindërit e një prej fëmijëve që humbi jetën më ka thënë hapni tabulatet e telefonit tim për të parë sa herë kam denoncuar. Ne kemi dështuar si shoqëri për aq kohë sa nuk mbrojmë dot fëmijët tanë. Kjo dhimbje nuk zgjat vetëm 3 ditë. Duhet të mbrojmë jetët e fëmijëve të tjerë,” tha ajo.