Një atmosferë e rëndë zie ka mbuluar zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku u zhvillua ceremonia mortore për dy të miturit, Kles Nikolli dhe Enea Muça, të cilët humbën jetën tragjikisht pasi u përplasën nga një automjet i drejtuar nga një 57-vjeçar.
Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin, ndërsa dhimbja e familjarëve është e papërshkrueshme. Një banore e zonës, e cila mori pjesë në ceremoninë mortore në familjen Nikolli, rrëfeu për mediat detaje prekëse nga tragjedia dhe reagimin e familjes.
“Ishin në fshatin tonë, një familje ideale që shihnin vetëm punën e tyre. Por ishin të varfër. Ngjarjen e kanë parë nga televizori, sepse mamaja kishte shkuar në Itali për të vizituar bashkëshortin që ishte sëmurë. Kanë parë ngjarjen nga kamerat, dhe mamaja vetëm bërtet: ‘Ma vranë djalin në derë të shtëpisë’. Babai është shumë i sëmurë, me një sëmundje të rëndë, dhe me zor flet. Kjo ngjarje na ka prekur të gjithë, jo vetëm ata. Një gjë të tillë nuk ia uron as armikut,” u shpreh banorja.
Sipas banorëve, rrugët e zonës shpesh përdoren për shpejtësi dhe gara, ndërsa ata kërkojnë më shumë masa nga autoritetet për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.
