Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet ndaj Nazar Khamuili, Mark Pettenko, Karoë Oskiera, Oleksander Tavoroski, Mariana Szrarevva dhe Oleh Kulsha.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se SPAK ia dorëzoi gjashtë të pandehurit Gjykatës Antikorrupsion si të dyshuar për grup kriminal dhe për akuzat e trafikimit të personave të rritur, të kryer në kuadër të grupit kriminal.
Ky grup u godit në Vlorë një vit më parë, ku u gjetën disa ukrainas që punonin në kompjuter, ku përmes aplikacioneve, kryenin aktivitete të paligjshme ende nën hetim.
‘Më rekrutuan në Varshavë. Më rekrutoi Juri, ata më bënë testin e poligrafit për të zbuluar nëse isha i lidhur me policinë, isha gazetar, apo isha përdorues. Do paguhesha 250 dollarë në javë dhe 25 dollarë për këdo që rekrutoja”, dëshmonte në gjykatë një prej viktimave të këtij rrjeti.
Autoritetet u aktivizuan pas ankesës nga ambasada e Ukrainës që bazohej në informacionin e përcjellë nga Volodymir Savinov i cili sinjalizonte se nipi i tij ukrainas po detyrohej të punonte me dhunë, që është përdorur dhunë ndaj të trafikuarve, tha në gjykatë edhe ukrainasi tjetër Kiril, i cili tha se ishte dhunuar ngaqë kishte nxjerrë një informacion dhe madje ishte filmuar, një provë që ishte dërguar në Varshavë.
Kur polica shkoi në koordinatat e referuara gjeti në një sallon gjashtë persona me kompjuter përpara. Dhe kur u mor në pyetje nipi i ankuesit, ai kujtoi se e gjeti punën përmes Telgramit, dhe se u intervistua nga një person me nofkën Fresku. Ajo që ju tregua të riut pasi u punësua, ishin videot e frikshme të dhunës ku dukeshin punëdhënësit se si thyenin gjymtyrët e të punësuarve.
Puna që dëshmojnë viktimat e trafikuara është ajo e rekrutimit të shtetasve për të kryer transport droge që më pas nëse i bindnin, i referonin tek dy persona me nofkën Mustang dhe Kika. Gjatë qëndrimit në Shqipëri të rinjve u ishin hequr pasaportat që mos të arratiseshin.
Top Channel
