Një aksident i rëndë është regjistruar në fshatin Farret, në njësinë administrative Stravaj të Librazhdit, ku një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë, rreth 150 metra larg saj.
Në timon ndodhej 22-vjeçari Renis Pajtim Kalnxhi, i cili është transportuar në Spitalin e Librazhdit për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, pranë automjetit të dëmtuar është gjetur edhe një armë zjarri tip pistoletë. Ndërkohë, deri në këto momente nuk ka të dhëna për persona të tjerë që të kenë qenë në automjet.
Dyshimet paraprake janë se 22-vjeçari mund të jetë përfshirë në një konflikt dhe të ketë pësuar dëmtime përpara se makina të dilte nga rruga.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa materialet po trajtohen nga Komisariati i Policisë Librazhd.
