Një aksident rrugor është regjistruar këtë të martë në aksin nacional Pushimi i Shoferit–Fier Shegan, në dalje të fshatit Rrupaj.

Sipas informacioneve paraprake, në ngjarje janë përfshirë dy automjete, një me targa greke dhe një tjetër me targa italiane. Dyshohet se drejtuesi i mjetit me targa greke ka tentuar të kryejë një parakalim, por manovra e gabuar ka sjellë përplasjen mes automjeteve, duke bërë që mjeti me targa italiane të dalë nga rruga dhe të përfundojë në kanal.

Si pasojë e aksidentit, tre persona që udhëtonin në automjetin me targa italiane, një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre i rritur, kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës me dy autoambulanca për të marrë ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë, të cilët po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e rrethanave të aksidentit, ndërsa po menaxhojnë edhe qarkullimin në këtë segment rrugor.

Aksi Pushimi i Shoferit–Fier Shegan konsiderohet një nga segmentet me qarkullim të lartë dhe gjerësi të kufizuar, ku aksidente të ngjashme janë regjistruar edhe më herët.