Vlorë


Kanë festuar mbylljen e maturës në rrugët e qytetit dhe janë zhvendosur më në bregdet, por festa është mbyllur përgjakshëm për një grup maturantësh të shkollës së mesme “Qemal Ataturk” në Vlorës. Të rinjtë ishin në një fuoristradë “Mitsubishi” me karroceri. Dëshmitarë okularë pohojnë se ata vinin nga Radhima për në Vlorë dhe disa kishin hipur në karroceri. Mjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi dhe në një nga kthesat e rrugës nacionale është përplasur me bordurën dhe është rrokullisur disa herë. Sipas dëshmitarëve, të rinjtë kanë qenë “çakërqejf” dhe kur kanë kaluar për të shkuar në drejtim të Orikumit. “I pashë të iknin me shpejtësi të madhe. Ata që ishin në karrocerinë e automjetit bërtisnin dhe tundnin çarçafë më mbishkrime”, tha pronari i një lokali pranë vendit ku ndodhi aksidenti. Por kur janë kthyer nga Orikumi, shpejtësia ka bërë që makina të dalë jashtë kontrollit dhe për shkak të rrokullisjeve, pesë adoleshentët që ndodheshin në karroceri janë shpërndarë në rrugë, ndërsa pesë të tjerët që ishin në kabinë kanë marrë plagë më të rënda. Ambulanca dhe mjete policie kanë shkuar në zonë për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve. Tre prej tyre, dy djem dhe një vajzë, po marrin ndihmë të specializuar në spitalin rajonal të Vlorës. Mjekët thonë se janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa kanë dëmtime në kokë, fytyrë e trup.


m.m.