Një gardian i burgut të Rrogozhinës ka humbur jetën në një aksident rrugor, ku kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë. Ngjarja rrugore ka ndodhur mesditën e sotme në vendin e quajtur “Kthesa e Visotës”, në aksin Fier-Ballsh. Burimet nga vendi i ngjarjes pohojnë se mjeti i drejtuar nga shtetasi Fiqiri Lame ka dalë nga rruga, duke rënë rreth 100 metra poshtë dhe duke përfunduar në lumin Gjanicë.
Për pasojë ka humbur jetën në vend, 50-vjeçari Shpëtim Haruni, polic në burgun e Rrogozhinës, ndërsa janë plagosur drejtuesi i automjetit Fiqiri Lame dhe 56-vjeçari Xhevair Rabia. Të plagosurit janë transportuar në gjendje të rëndë për në spitalin rajonal të Fierit. Sipas policisë, e cila po kryen hetimet e rastit, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit si pasojë e lagështisë në rrugë.
7 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
