Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Urës së Dajlanit, teksa dyshohet se drejtuesi po tentonte t’i shmangej Policisë Rrugore.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, por gjatë lëvizjes, shoferi ka humbur kontrollin dhe makina ka përfunduar në kanal.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë nxjerrë drejtuesin nga automjeti dhe e kanë transportuar atë drejt spitalit.
Paraprakisht, dyshohet se shoferi ka qenë në gjendje të dehur.
