Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 11:30 në aksin nacional “Pogradec–Qafë Thanë”, ku janë përfshirë dy automjete, njëri me targa të huaja.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet i drejtuar nga një shtetas nga Korça është përplasur me një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën 26-vjeçarja me iniciale E.L., banuese në Maqedoninë e Veriut, e cila ndodhej si pasagjere në automjetin me targa të huaja.

Nga aksidenti janë dëmtuar gjithashtu drejtuesit e dy automjeteve dhe dy pasagjerët e tjerë, të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se automjeti me drejtues shtetasin G.H., banues në Korçë, është përplasur me automjetin tjetër me drejtues shtetasin E.LL., banues në Maqedoninë e Veriut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë thotë “Rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Pogradec–Qafë Thanë”, automjeti me drejtues shtetasin G. H., banues në Korçë, është përplasur me një automjet me targa të huaja, me drejtues shtetasin E. LL., banues në Maqedoninë e Veriut.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasja E. Ll., 26 vjeçe, banuese në Maqedoninë e Veriut, pasagjere e cila ndodhej në automjetin me targa të huaja, si dhe janë dëmtuar drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerët që ndodheshin në të dy automjetet.

Katër të dëmtuarit po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit“.